Pak ditë pas takimit në Moskë me Stalinin (23 mars 1949), Enver Hoxha ka realizoi një ceremoni të pazakontë në dhomën e tij. Ai thirri aty anëtarët e delegacionit që kryesonte duke ju lutur përfaqësuesit sovjetik të përsëriste lajmin për disa dhurata të bëra nga Stalini. Ishin kuti cigaresh, orë dore, copa stofi për të qepur pantallona apo xhaketa dhe më tej disa produkte ushqimore, si havjar, sallam, çokollatë etj.
Sot pjesa e produkteve ushqimore mund të tingëllojë e habitshme, por në këtë periudhë, sa duket këto ishin produkte luksi jo vetëm për nivelin ekonomik të shqiptarëve por edhe për vetë sovjetikët. Jemi në vitin 1949, në Shqipëri ka njerëz të uritur dhe pavarësisht se udhëheqjes së lartë komuniste apo funksionarëve shtetërore nuk u mungonte gjë, sërish dhuratat ushqimore duken të justifikueshme. Pjesa që nuk mund të përtypet lehtë është ajo e mbajtjes së produkteve ushqimore me vete dhe më tej transporti për në Shqipëri, që mund të kërkonin disa ditë kohë.
Ideja e dhuratave të tilla ishte dhënë nga Ambasadori Sovjetik në Tiranë Dimitri Çuvahin më 28 mars 1949, kohë kur delegacioni shqiptar ishte ende në Moskë. Dhuratat janë lëvruar me vendim të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik më 2 prill 1949 dhe u janë dhënë pjesëtarëve të delegacionit nga një diplomat, pak ditë më pas, më 6 prill. Këtë thonë dokumentet që po sjellim në këtë shkrim, të marra dhe të përkthyera nga përmbledhja “Faktori Sovjetik në Evropën Lindore 1944-1953”.
