Një anije me flamur të Tanzanisë është vënë nën akuzë për kontrabandë nafte në Durrës.
Këtë fundjavë policia e Durrësit po heton dhe kryen veprime mbi një rast të kontrabandës së naftës në sasi të mëdha.
Sipas burimeve nga dogana e Durrësit, gjithçka ka nisur nga dyshimet mbi anijen “Aya Zanoubya” që mbërriti më 7 janar në portin MBM të Porto Romanos me një ngarkesë të deklaruar çimentoje, por po hetohet për kontrabandë karburanti pasi ka dyshime.
Ndërkaq burime policore bëjnë me dije për Top Channel se operacioni policor ka çuar në disa ndalime dhe shpalljen në kërkim të disa personave të tjerë.
E nisur më 26 dhjetor nga porti tunizian i Gabes, anija dyshohet se ka bashkëpunuar me një tjetër mjet lundrues për të realizuar kontrabandën, për qëllime përfitimi financiar. Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht mënyrën e organizimit të këtij aktiviteti të paligjshëm.
Ekuipazhi dhe pronari i anijes janë nën akuzë. “Aya Zanoubya” është një anije mallrash e ndërtuar në vitin 1977, me gjatësi 81.72 metra dhe gjerësi 14.1 metra.