Agresioni rus në Ukrainë dhe fakti që Serbia fillimisht nuk e ka dënuar atë, ka krijuar përshtypjen se projekti rajonal për Ballkanin e Hapur mund të jetë tashmë një ide e vdekur.
Por, kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë një takimi në Lushnje, se Ballkani i Hapur është “një hap shumë i rëndësishëm përpara” dhe se sot në kushtet e kësaj që po ndodh, pra luftës në Ukrainë, “është edhe më i rëndësishëm seç ishte dje”.
“Ballkani i Hapur nuk ka lidhje me këtë. Nuk është ndryshim linjash themelore të politikës sonë të jashtme, në aspektin e aleancave, partneriteteve, etj.
Është hap shumë i rëndësishëm përpara.
Sot në kushtet e kësaj që po ndodh, është edhe më i rëndësishëm seç ishte dje, në këndvështrimin tim.
Koha do ta tregojë këtë gjë“, tha Rama.
Deri tani vetëm tre vende kanë treguar gatishmëri dhe entuziasëm për “Ballkanin e Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Edi Rama: Unë e kam njohur Presidentin e Ukrainës. Është një personazh i veçantë por ja që në kushtet e një sfide kaq të madhe ku jeta e tij është më e rrezikuar më shumë se kushdo tjetër pasi është targeti numër 1 i agresorëve është kthyer në një personazh shembull për të gjithë botën. Vuri mbi të gjitha lirinë për të zgjedhur, dhe detyrimin për t’iu përgjigjur zgjedhësve. Ne duhet të vlerësojmë shumë atë që kemi dhe të mos harrojmë kurrë që nëse të tjerët kanë sakrifikuar më parë apo po sakrifikojnë sot për të pasur të njëjtën gjë që ne kemi atëherë kësaj gjëje që kemi ti japim respekt.
