Dalin detaje të reja nga vrasja e Nikolin Marku (Lekstakaj) dje në Lezhë. Viktima ka qenë i vetëm kur është ekzekutuar dhe jo i shoqëruar nga vëllai, kë të fakt e ka vërtetuar Bledar Lekstakaj, i cili është marrë në pyetje nga policia. Në dëshminë e tij Bledar Lestakaj ka deklaruar se sapo ishte kthyer nga Tirana dhe ka qenë duke qëndruar në banesë me nënën e tij në momentin që Nikolini i ka marrë makinën për të shkuar për të blerë diçka në market. Më tej ai ka deklaruar se pak minuta më vonë pasi vëllai ishte larguar me makinë për në market, kishte dëgjuar krisma armësh, por nuk kishte menduar dhe nuk e dinte se ishte vrarë vëllai i tij dhe është njoftuar pak më vonë për ngjarjen e rëndë.
Sipas dëshmive të familjarëve të viktimës, ky i fundit nuk ruhej dhe se lëvizte i lirë dhe nuk i druhej ndonjë atentati. Për ngjarjen e rëndë, policia e Lezhës ka shoqëruar disa persona të cilët janë marrë në pyetje.
Lekstakaj, babai i një vajze dhe i divorcuar, kishte jetuar për disa vite në Angli dhe ishte kthyer prej kohësh në vendlindje. Ai u qëllua ditën e djeshme rreth 300 metra larg nga banesa e tij, teksa kishte blerë një pije freskuese dhe po dilte nga marketi.
Motivi i vrasjes dyshohet hakmarrja mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, një konflikt i nisur prej vitit 1996 dhe që ka sjellë shumë viktima në të dy fiset. Biznesmeni Nikulaj ishte i parafundit që u vra më 19 korrik në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin nga vrasës me pagesë, të gjithë të arrestuar, teksa dyshohet se u porosit nga Edmond Haxhiaj (Lekstakaj). Sot u vra një tjetër pjesëtar i fisit Lekstakaj, duke dëshmuar se saga e hakmarrjes vijon për mbi dy dekada.
