Manolis Kefalogiannis, eurodeputet grek është zgjedhur prej tre javësh është në krye të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Politikani që do ndjekë nga afër procesin e integrimit të Shqipërisë duket se ka vetëm një merak, të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Në tre qëndrime publike që ka mbajtur në Bruksel dhe PE, çështja e vetme për të cilën ka pasur ankesa mbi situatën në Shqipëri është respektimi i këtij minoriti.
Këtë e ka bërë dhe së fundi, në një letër dërguar Komisionit Europian. Eurodeputeti grek ngre shqetësimin për regjistrimin e saktë të numrit të minoritarëve grekë në Shqipëri. Në letër ai ngre pikëpyetje për regjistrimin e bërë në vitin 2011 duke pretenduar se të dhënat kanë qenë të pasakta. Ai thotë se minoritet kanë pasur rezerva për të dhënat e këtij studimi, për shifra të pasakta.
Në rrugë zyrare, ai kërkon përgjigje për dy pyetje nga Komisioni Europian. “Çfarë hapash synon të ndërmarrë Komisioni për të siguruar të drejtën e vetdeklarimit kombëtar në regjistrimin e ardhshëm? Si do të sigurohet një qasje objektive ndaj shtresimit fetar të shoqërisë shqiptare duke pasur parasysh se sa arbitrar ishte regjistrimit të mëparshëm?”,- shprehet eurodeputeti grek.