Në mbështetje të nismës së qeverisë për të evituar daljet e pensionistëve nga shtëpia, qoftë edhe vetëm për të psonisur, bashkia Fier me ekipet e saj u ka ardhur në ndihmë gjatë 24 orëve të fundit 173 pensionistëve dhe grupeve të riskuara, duke u shërbyer me ushqime, ilaçe, detergjentë e pensione, në rastet kur ata kanë nevojë e nuk kanë të afërm pranë.
Ka qenë një punë e koordinuar mes bashkisë Fier me Shërbimin Social Shtetëror, DRSH dhe Postës Shqiptare.
14 ekipe operatorësh operojnë në bashkinë Fier duke marrë në telefon të gjithë pensionistët që rezultojnë të vetëm dhe invalidët për tu ardhur në ndihmë për tu shërbyer me blerjen e ushqimeve apo medikamenteve, me qëllim që ata të mos dalin nga shtëpia duke qenë të riskuar.
Mbi 50 ekipe të shpërndarë të gjithë territorin e Bashkisë nisen për të kryer këtë shërbim tek familjet që kërkojnë ndihmë , duke përmbushur kështu kushtin kryesor të mbajtjes larg rrezikut të infektimit me COVID -19 të kësaj kategorie më të riskuar.
Bashkia Fier bën vazhimisht thirrje pensionistëve dhe invalidëve që në rast se u duhet shërbim për të blerë ushqimet, medikamentet apo pensioni të njoftojnë dhe menjëherë do të jenë ekipet e terrenit që do ua çojnë ato në shtëpi duke respektuar të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse.