Në vitin 1940, aktori i famshëm i filmave pa zë Charlie Chaplin, e bëri filmin e quajtur “Diktatorii Madh”. I publikuar në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ky film ishte një satirë për Hitlerin dhe nazizmin.
Në fund të filmit, Charlie Chaplin ngjitet në skenë ku zhvishet nga personazhi i tij prej komiku, për të mbajtur njërin ndër fjalimet më të famshme. Ky fjalim, nga shumë njerëz, konsiderohet si njëri ndër fjalimet më të mëdha, të bëra ndonjëherë.
Ky është fjalimi:
Charlie Chaplin, 1938
Fjalimi i berberit në filmin “Diktatori i madh”
Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor, s’është punë për mua. Unë s’dua as të pushtoj as të drejtoj njeri. Do doja t’i ndihmoja të gjithë sa më shumë të mundesha, çifutët, të krishterët, paganët, të zinjtë e të bardhët. Të gjitha ne qëniet njerëzore do të donim t’i ndihnim po të mundeshim, qenia njërëzore është ndërtuar kështu. Ne duam t’i japim lumturinë të afërmit tonë, jo ta shtyjmë në të keqe. S’duam as të urrejmë as të poshtërojmë njerëz në këtë botë.
Secili prej nesh ka vendin e tij në tokë, e natyra është e pasur, ajo mund t’i ushqejë të gjitha qëniet njerëzore. Të gjithë mund të kemi një jetë të bukur dhe të lirë por këto i harrojmë.
Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut, e ka bllokuar botën me urrejtje, na ka bërë të biem në gropë të varfërisë e në rrëketë e gjakut. Edhe shpejtësinë që e zhvilluam, e zhvilluam për t’u mbyllur në vete. Makineritë që i kemi me bollëk, na kanë lënë në batakun e pakënaqësive. Dija na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jo-njerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë, e na mungon njerëzillëku.
Jemi
shkolluar shumë por na mungon zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi
njerëzore, jeta s’është veçse dhunë dhe gjithçka është e humbur.
Avionët edhe radiot na afruan me njëri-tjetrin por këto shpikje nuk do ta
gjejnë kurrë kuptimin e tyre të vërtetë veçse në lumturinë e qënies njerëzore,
veçse në vëllazërimin, në miqësinë dhe bashkimin e gjithë njerëzve.
Në këtë moment zëri im arrin miliona njerëz në gjithë botën, miliona burra, gra
e fëmijë të dëshpëruar. Viktima të një sistemi që i torturon të dobëtit dhe i
burgos të pafajshmit.
Ja
ku ua them te gjithë atyre që kanë vesh të më dëgjojnë : Mos u
dëshpëroni ! Mallkimi që është mbi ne s’është veçse produkt kalimtar i
sjelljeve, zemërimi i atyre që kanë frikë nga progreset që arrihen nga
njerëzimi. Urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin, e pushteti
që ua kishin marrë njërëzve do t’i kthehet sërish njerëzve. E derisa për lirinë
ende e japin jetën, ajo s’ka për t’u mposhtur.
Ushtarë, mos ua lini shpirtin pushtuesve, është një minoritet që ju përçmon dhe
që ju do skllevër, që ju do gjithë jetën në disiplinë, ju tregon ç’të bëni e
ç’të mendoni, që ju drejton, ju manovron, që ju përdorë si mish për top e ju
trajton si bagëti.
Mos ua jepni jetën këtyre qenieve jo-njerëzore, këtyre njerëzve-makineri, me
një makinë në vend të kokës dhe një tjetër makineri në vend të zemrës.
Ju s’jeni makineri !
Ju s’jeni skllevër !
Ju jeni njerëz, njerëz me gjithë dashurinë e botës në zemër. Ju s’keni
urrejtje, veçse për atë që është jo-njerëzore dhe që nuk është e bërë prej
dashurisë. Ushtarë mos luftoni për skllavërimin por për lirinë.
Është e shkruar në ungjill, e sipas Shën Lukës “Mbretëria e Zotit është në
qënien njerëzore “, jo vetëm në një qënie njerëzore, as vetëm në një grup, por
te çdo njeri, te ju o popull që e keni fuqinë : fuqinë për të krijuar
makina, fuqinë për të krijuar lumturi. Ju o njerëz e keni pushtetin, pushtetin
për ta bërë jetën të lirë e të bukur, fuqinë për ta berë jetën aventurë të
mrekullueshme. Pra në emër të demokracisë, ta përdorim këtë pushtet.
Duhet të bashkohemi të gjithë, duhet të luftojmë të gjithë për një botë të re,
botë humane e cila do t’ua japë të gjithëve mundësinë të punojnë që do t’ia
sjellë rinisë të ardhmen dhe të moshuarve sigurinë. Të ligjtë ju kanë premtuar
shumë gjera që ju t’ua jepnit pushtetin: ata gënjejnë. Ata s’i kanë mbajtur
premtimet e tyre të mrekullueshme, asnjëherë s’do t’i mbajnë.
Diktatorët
shfaqen me marrjen e pushtetit, dhe bëjnë skllevër popujt. Ndërsa neve na duhet
të luftojmë për të përmbushur premtimet e tyre. Ne duhet të luftojmë për të
liruar botën, për t’i shkatërruar kufijtë dhe përmbysur dallimet racore, për
t’i dhënë fund njëherë e mirë lakmisë, urrejtjes dhe jo-tolerancës. Na duhet të
luftojmë për të ndërtuar një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi
do t’i shpien njerëzit drejt lumturisë.
Ushtarë, në emër të Demokracisë, të bashkohemi të gjithë! Retë po zhduken!
Dielli shpon! Ne po dalim nga terri për të gjetur dritën ! Duhet të
shkojmë drejt një bote të re, drejt një bote më të mirë, ku njerëzit do të
dominojnë lakminë e tyre, urrejtjen, brutalitetin. Hapni sytë ! Shpirti i
njeriut mori më në fund flatra dhe po nisë të fluturojë. Ai fluturon drejt
ylberit, drejt dritës së shpresës./gazetametro.net