Pothuajse në të gjitha shtetet e Europës, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bërë tashmë traditë që emigrantët të krijojnë ekipe sportive që mbajnë emrin dhe frymën e vendlindjes së tyre. Së fundmi, edhe në Athinë është krijuar një ekip futbolli që merr pjesë në kampionatin grek, me 8 lojtarë, i cili mban me krenari emrin Flamurtari. Ky ekip është themeluar nga emigranti shqiptar Aleksandër Sofokliu.
Por bukuria e këtij ekipi nuk qëndron vetëm te emri. Ajo që e bën Flamurtarin e Athinës të veçantë është mënyra se si është ndërtuar dhe përbërja e tij. Aleksandri jeton në Athinë që prej vitit 1991, menjëherë pas rënies së diktaturës komuniste, dhe vazhdon të jetojë aty edhe sot. Në këtë ekip nuk luajnë vetëm futbollistë shqiptarë, por edhe lojtarë grekë. Formacioni i ekipit, në këmbë Deni, Aldo, Peper, Muzakitis, Pedro, ulur nga e majta ne te djathte: Kokkalis, Merion, Marko.
Me këtë iniciativë, Aleksandër Sofokliu ka dalë përtej mendësive të ngushta dhe urrejtjeve nacionaliste, duke dhënë një mesazh të qartë vëllazërie mes dy popujve, shqiptar dhe grek. Flamurtari i Athinës është një shembull i gjallë i bashkëjetesës, miqësisë dhe respektit që mund të ekzistojë mes njerëzve. Të shohësh një lojtar grek të veshur me fanellën e Flamurtarit në Athinë është vërtet emocionuese dhe domethënëse.
Pavarësisht kushteve financiare të vështira dhe faktit që ekipi sponsorizohet kryesisht nga vetë anëtarët e tij, Flamurtari kryeson renditjen në kampionat. Kjo është dëshmi se pasioni, përkushtimi dhe bashkimi mund të sjellin sukses. Ne i urojmë këtij ekipi vetëm fitore dhe suksese të mëtejshme. Ky është një mesazh i qartë se sporti i bashkon popujt, ndërton ura miqësie dhe shuan ndarjet. Një ngjarje vëllazërore e shkëlqyer, që falë vizionit dhe punës së Aleksandër Sofokliut, po shkruan histori në Athinë.

