Momente tensioni janë përjetuar nga pasagjerët e një avioni të kompanisë Ryanair, i cili udhëtonte nga Manchesteri drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Shkak për shqetësimin janë bërë disa mesazhe të gjetura në letrat e tualetit të avionit, ku paralajmërohej për praninë e një bombe në bord.
Pas mbërritjes në Rinas, autoritetet kanë ndërmarrë kontrollet përkatëse për të verifikuar kërcënimin. Policia konfirmon se avioni është kontrolluar dhe se nuk është konstatuar asnjë mjet shpërthyes. Për rrjedhojë, alarmi ka rezultuar fals.
Ky është rasti i parë që vala e alarmeve për bomba në avionë apo aeroporte prek edhe Shqipërinë. Fatmirësisht, edhe në këtë rast, kontrollet nuk kanë zbuluar asnjë rrezik real për pasagjerët.
Njoftimi i policisë:
Rinas/ Informacion paraprak
Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester–Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën.
