Rehabilitimi i Unazës Ekonomike të bashkisë Konispol, loti II” pritet t’i japë frymëmarrje dhe nxitje bujqësisë dhe turizmit të zonës.
Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ndau sot fotot nga punimet për përfundimin e Lotit II të Unazës Ekonomike të Konispolit.
“Investimi në infrastrukturë, një premtim i mbajtur dhe lajm i mirë për të gjithë fermerët e zonës”, tha Gjiknuri.
Punimet në këtë aks rrugor prej të cilit janë përfitues direkt 205 983 banorë, po zhvillohen në kuadër të projektit zhvillimor “Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në funksion të zhvillimit të turizmit dhe agroturizmit në rajonin 4”.
Bashkia e Konispolit ka si aktivitet kryesor ekonomik bujqësinë dhe blegtorinë si dhe tregtinë ndërkufitare me Greqinë.
Ndërhyrja është e domosdoshme për përmirësimin e kushteve të kësaj rruge me qëllim grumbullimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore të zonës, drejt tregjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me këtë ndërhyrje, nxitet mundësia e investimeve të reja në bujqësi, dhe sektorët përkatës të përpunimit e rrjedhimisht rriten mundësitë e punësimit të banorëve të zonës.

