Një tjetër sulm kundër Policisë së Kosovës ka ndodhur pas mesnate në kufirin me Serbinë. Policia e Kosovës njoftoi paraditen e së shtunës se makina e Policisë u sulmua me mjete shpërthyese që u hodhën nga territorI serb.
Në njoftimin e lëshuar nga Prishtina thuhet:
“Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime, dyshohet nga mjete piroteknike.
Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike).
Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.
Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.
Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale. Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë.”
Vetëm një ditë më parë, Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla tha:
Zyrtarët kufitar të Policisë së Kosovës, sot janë ballafaquar me sulmin e katërt që u është bërë brenda 3 ditëve në veri të vendit.
Të gjitha sulmet kanë ndodhur në një hapësirë të caktuar gjeografike, Zubin Potok deri në Bërnjak. Asnjëri nga këto sulme terroriste nuk ka pasur qëllim frikësimin por eliminimin e zyrtarëve policor dhe kjo u vërtetua sot, kur janë sulmuar veturat e tyre me granata dore dhe kallashnikov të llojit AK47.
Siç e kemi theksuar edhe në konferencë bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Samedin Mehmeti, këto sulme mund të kenë ardhur prej atyre që po u pengon luftimi i krimit e kontrabandës dhe stabiliteti në vend. Gjithsesi, kjo ju mbetet organeve të drejtësisë për ta vërtetuar.
Sulme të tilla terroriste ndaj institucionit që garanton rend dhe ligj janë edhe ndaj shtetit. Ne mbesim të përkushtuar të vazhdojmë luftën ndaj krimit të organizuar e kontrabandës me çdo kusht. Ky fakt padyshim ka lëkundur themelet e grupeve ilegale por nuk ka kthim prapa.
Në anën tjetër rreshtimi i Serbisë përkrah Rusisë, armatimi i saj nga Rusia, Kina e Bjellorusia tregojnë qartë që ka tendenca për destabilizim të vendit tonë. Ne jemi në nivelin më të lartë të detyrës dhe përgjegjësive tona. Misioni ynë është siguria e qytetarëve tanë, mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, këtë padyshim se po e bëjmë.”


