Kryeministri francez, Edouard Philippe, njoftoi se ka urdhëruar mbylljen e të gjitha bizneseve jo thelbësore të shërbimit publik, duke filluar nga sot në mëngjes, në orën 00:00, për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
“Virusi është përhapur më shpejt, me një rritje të madhe të numrit të njerëzve në kujdes intensiv në disa zona”, the Philippe, duke theksuar se pavarësisht kësaj njerëzit nuk kanë ndjekur rekomandimet për të kufizuar lëvizjet.
Urdhri vlen për kafenetë, restorantet, kinematë dhe pothuajse të gjitha dyqanet, përveç ushqimoreve, farmacive dhe dyqaneve të shitjes së duhanit, deri në njoftimin tjetër.
Presidenti francez Emmanuel Macron iu drejtua vendit dhe njoftoi se të gjitha shkollat dhe universitetet do të mbyllen të hënën deri në një njoftim të ri.
Ky ishte hapi i fundit në përpjekjen për të parandaluar përhapjen e virusit të njohur si COVID-19 që ka kapluar botën dhe ka shënuar rritje të shpejtë të rasteve dhe vdekjeve në Evropë gjatë dy javëve të fundit.
Në gjithë botën, numri i rasteve të raportuara është rreth 145 000, me mbi 5 000 të vdekur.
Së bashku me rritjen e masave paraprake, institucionet publike po mbyllin dyert, duke ndjekur rekomandimet.
Institucionet më të mëdha kulturore në Francë u mbyllën të premten deri në njoftimin e mëtejshëm.
