“Përgjegjësia është individuale”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, i pyetur nëse ka ndrojtje se mund të dalin të tjerë ministra.
Kryeministri Edi Rama, pasi takoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në New York, dha një intervistë për “Zërin e Amerikës”.
Referuar dënimit të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për korrupsion dhe shpërdorim detyre, gazetari e pyeti kryeministrin, nëse i frikësohet arrestimeve në radhët e kabinetit qeverisës.
“Nëse ka njerëz që kanë ngjyer gishtin në një proces që është bërë për t’i shërbyer vendit, sigurisht që duhet të marrin ndëshkimin e merituar, se e kanë bërë pas shpinës së një force qeverisëse që është këtu për të njerëzit”.
Sipas kryeministrit, për këtë arsye po bëhet reforma në drejtës, që e majta e ka mbështetur që nga fillimi, shton ai.
“Unë nuk jam i shqetësuar se mund të dalin ministra apo ish ministra apo kushdo qoftë sepse për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi. Kur unë e kam thënë që reforma bëhet për një drejtësi të drejtë dhe nga ana tjetër përgjegjësia për rolin e çfarëdo qoftë është individuale. Nëse ka njerëz që kanë ngjyer gishtin apo dorën në një proces që është bërë për t’i shërbyer vendit sigurisht që ata duhet të marrin ndëshkimin e merituar sepse e kanë bërë pas shpinës së një qeverie”, tha Rama.
