Categories Kuriozitete

Gazetari i “ERTV” flet për herë të parë dhe tregon se nga paguhet

Pak kohë më parë ai u bë pjesë e rrjeteve sociale dhe e lajmeve, pas pyetjes që qarkulloi, se kush ishte gazetari i “ERTV” dhe se nga kush paguhej?!

Alteo Hysi në një intervistë për “Dritare.net” për herë të parë i është përgjigjur pyetjes sesi përfundoi të jetë gazetari i “kryeministrit” si dhe nëse paguhet dhe sesi paguhet për këtë punë.

Pjesë nga intervista:

Si reagove kur lexove shkrimet nëpër portale, ku pyetej se ku paguhet gazetari i ERTV?

Me shumë humor, me thënë të drejtën (qesh). Çdokush ka të drejtën të pyesë, por pyetjet e mira duhet të ngrihen mbi një kontekst të caktuar, jo në hava. Në këtë rast, ERTV është thjesht një platformë në një rrjet social, që nuk ka nevojë as për licencë, as për frekuenca, që do të thotë se është debat i pa kuptimtë ta lidhësh ekzistencën e një platforme të tillë, me një debat tjetër mbi formalizimin e medias. Nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Si do t’u përgjigjeshe atyre që thonë se intervistat e tua bëhen thjesht për shoë, madje dhe se pyetjet t’i parapërgatisin…

Nëse të punosh për të shpjeguar publikisht aspekte të caktuara të qeverisjes që lidhen me nevojat e përditshme të jetës së shqiptarëve, apo për të bërë publikisht një vetëreflektim mbi mënyrat se si mund të adresohen më mirë çështje të caktuara, apo për të ndërtuar një tjetër urë komunikimi mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre, quhet show, atëherë kjo nuk është kritikë, është cinizëm. Por gjithsecili është i lirë të bëjë interpretimet e veta.

Pyetjet janë të gjitha produkt i një reflektimi paraprak që bëj duke e vënë gjithmonë veten në pozitën e një qytetari që nuk ka mundësi t’ia adresojë një pikë të caktuar, përfaqësuesit të vet. Pyetjet e mia më të gjetura në fakt nuk janë ato që paramendoj, por ato që dalin nga përgjigjet e të fturave, aty në moment, varësisht bisedës.

Përse shfaqesh gjithnjë me shpinë? Nuk e kemi parë pothuajse asnjëherë fytyrën tënde në intervistë, madje në fillim shumë njerëz ishin kuriozë se kush është ky djali?

Mendoj që më e rëndësishme se sa dukja është përmbajtja e asaj që duhet thënë në studio. Le ta quajmë një mënyrë për ta fokusuar interesin dhe vëmendjen e ndjekësve te ajo që do të thuhet, se sa te ajo që duket. Pra, te mesazhi.

E gjen veten realisht si gazetar në intervistat që bën, në facebookun e një politikani? A nuk të ngjan kjo paradoksale?

Mendoj që ka një dallim të madh midis dy koncepteve që lidhen me të bërit gazetari, pavarësisë dhe lirisë së gazetarit, që janë dy gjëra krejt të ndryshme. Unë kam zgjedhur të jem jo i pavarur, pra të punoj me një krah të caktuar, por duke mbrojtur vlerën e lirisë. Çfarë do të thotë se nuk do të doja kurrë të thoja gjëra që nuk i besoj vetë së pari. Pavarësisht zgjedhjes sime, ndihem mirë sepse bëj dhe them gjëra në të cilat besoj fort, pa prishur raportet me të vërtetën.

Më herët ke qënë pjesë e disa redaksive para se të përfundoje studimet, si ajo e Opinion të Blendi Fevziut? Pse e braktise këtë rrugëtim për ERTV, kur sapo e kishe nisur fare i ri? A lidhet arsyeja me ndonjë lloj tundimi për të qënë afër politikës?

Tundimi im i vazhdueshëm është të eksploroj çdo mundësi që ia siguroj vetes, eksperienca të reja përmes të cilave të mund të arrij shprehjen më të lartë të vetes dhe të lë një shenjë pozitive aty. Të jap maksimumin tim, e thënë ndryshe. I njejti “tundim” më çoi në redaksinë e Blendi Fevziut. Asokohe isha në vitin e dytë të studimeve të mia për gazetari dhe më duhej të realizoja një punim akademik. Shkova thjesht si një student për një punim aty dhe dalëngadalë kontribuoja në redaksi derisa u bëra pjesë e stafit. Unë sot i jam mirënjohës Blendit për besimin e madh që më jepte në përgjegjësi të punës, pavarësisht moshës sime të re, sepse ka kontribuar edhe kjo në rritjen time. I njejti “tundim” nëse do ta quajmë kështu dhe i njejti besim te vetja më shtyu edhe për ERTV. Unë afër politikës kisha qënë gjithsesi, si aktivist, por edhe si ndjekës i rregullt i jetës publike.

Çfarë mendon kur të etiketojnë si “gazetari i Ramës”? Mendon që etiketime të tilla e kufizojnë profilin tënd, në kuptimin e njëanshmërisë? Të bezdis kjo?

As nuk më bedis, as nuk mendoj se më kufizon në ndonjë aspekt. Me këtë punë më mban lidhur pasioni dhe ideja që po bëj gjënë që di të bëj më mirë dhe që kam dashur gjithmonë ta bëj. Të tjerat, etiketimet, paragjykimet, janë tejet periferike në dimensionin që më përfshin çdo ditë. Të jesh gazetari i Ramës, i cili meqë ra fjala, vetëm vlera ka promovuar në një sistem politik të mbingopur për vite të tëra me antivlera, nuk është as mëkat, as sakrificë. Për mua është bashkim me një grup njerëzish që besojnë te këmbëngulja e tij për ta bërë Shqipërinë. Dhe unë dua me zemër që ky vend të bëhet, me çdo kusht!

A ke ti një mendim tëndin, për mënyrën se si kryeministri po e qeveris vendin?

Mendoj që me politikbërjen e tij, Edi ka kontribuar në transformimin e mjedisit politik shqiptar. Nëse bashkë tani do të numëronim me gishtat e dorës se çfarë kanë bërë për Shqipërinë në kaq shumë vite figurat kryesore të politikës, besoj që ai është i vetmi që ka bërë në pak vite si kryeministër, më shumë se sa kanë bërë gjithë të tjerët në 20 vjet. Në vetvete, injektimi i politikës së punës, në një mjedis të politikës parazitare, e ushqyer nga balta dhe nihilizmi, e transformon edhe vetë sistemin politik, përveçse sjell fryte në shërbim të qytetarëve. E kjo sepse vendos një standard të ri, që të tjerët më pas do duhet ta ndjekin, atë të politikës si zgjidhje, si instrument ndryshimi. Ky standard i ri sjell edhe raport të ri me qytetarët, që nisin t’i vlerësojnë e zgjedhin politikanët jo më prej ndikimit të tarafeve që ata kanë pas vetes, por për sa kanë bërë realisht për Shqipërinë. Besoj që ky ishte leksioni që mori politika shqiptare në zgjedhjet e fundit elektorale, u vlerësua masivisht se kush ka bërë çfarë për Shqipërinë. Edi ka hedhur themelet e një kulture të re politike.

A ke ti modele në politikë, në gazetari, në jetë?

Mundohu të marrësh më të mirën e çdo njeriu. Këtë ia them shpesh vetes. Unë besoj që në vetvete edhe njeriu me të cilin ti ndoshta nuk ke kimi, pra nuk të pëlqen, e ka një anë të mirë, po të dish si ta zbulosh. Kjo është një qasje shumë rracionale që të bën të jetosh pastaj në paqe me këdo që të rrethon, ndërkohë që ke shansin të mësosh diçka prej tyre.Megjithatë, nëse do të duhet të zgjidhja në mesin e shumë njerëzve që besoj se vijnë në jetë jo rastësisht, po për një qëllim të caktuar, qoftë ky qëllim edhe për të pasuruar këtë rrugëtim jete drejt eksperiencave, mësimeve, rritjes së brendshme sidoemos, që është një sfidë që vazhdon pambarimisht për këdo, Edi ka qënë një pikë e fuqishme tërheqëse drejt disa vlerave që duhet të ketë një njeri, si integriteti dhe ndershmëria, veçanërisht kur je në politikë. E kam fjalën për Edi Shalsin, një mik i mirë dhe shumë mbështetës.

Cili është personazhi politik me të cilin mendon që ke patur intervistën më të mirë?

Intervistat e mia të preferuara janë ato mbi aspekte konkrete në fusha specifike të qeverisjes, më shumë se sa intervistat politike, mbi aktualitetin politik. Të parat i shoh tejet të dobishme për të informuar, sqaruar dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëvë të kuptojnë si zhvillohen shumë procese demokratike që lidhen me jetët e tyre, sa përfitojnë apo sa ndikohen ata nga nisma të caktuara të qeverisë. Në këtë kontekst, intervistat më të mira për mua mbeten dy, me drejtoreshën e ALB-Control, Belinda Balluku për linjën e re ajrore Air Albania dhe me drejtoreshën e bizneseve vip, Enkelejda Pipa, mbi skemën e tvsh-së për biznesin. Kanë qënë dy intervista të mbushura me argumenta deri diku teknike dhe një qasje më shumë profesionale nga ana e zonjave, se sa politike. Profile si të dy zonjave të rrisin edhe ty si intervistues përgjegjësinë për të qënë sa më i thelluar dhe për të patur një arsenal argumentesh profesionale.

Ndërsa nga personazhet politikë, ai me të cilin biseda në studio del gjithmonë nga ngjyrimi politik, për të kaluar në një bisedë me karakter shumë social dhe njerëzor është i Ogerta Manastirliut. Ndoshta sepse edhe temat për të cilat kemi folur kanë një karakter të tillë, po edhe prej një lloj natyraliteti dhe ndjeshmërie që e vërej te ajo në raport me çështjet ku është e angazhuar, sa herë vjen në studio.

Meqënëse gjithë kohës ke intervistuar vetëm figura të qeverisë, cilit nga personazhet e opozitës do t’i bëje një ftesë të hapur për intervistë?

Pyetje e vështirë, është si të më pyesësh, kë nga të ndjerët, po të kishe një shkop magjik, do vendosje të sillje në jetë. (qesh) Meqë opozitë reale nuk ka, do preferoja një nga personazhet e PD-së së vjetër, PD-së së vërtetë. Besoj që me Majlinda Bregun, Mesila Dodën ose Astrit Patozin, intervista do të shkonte sipas formatit tim të preferuar, hard-talk. Janë njerëz që e peshojnë mirë fjalën, kështu që janë të mirëseardhur të tre. J

Nga paguhesh për këtë punë? Apo je vërtet vullnetar, siç tha deputeti Fidel Ylli në një intervistë?

Mendova se ishte sqaruar kjo histori. ERTV është një projekt për të cilin punojnë njerëz pranë Partisë Socialiste, nga fondet e së cilës paguhet edhe stafi, pra edhe unë. Zoti Ylli më ka quajtur vullnetar, duke patur në mendje vullnetarin e FRESSH-it që ai ka njohur para shumë vitesh në Berat, qytetin tim të lindjes ku ka qënë deputet i zonës, qytet me të cilin si unë, si zoti Ylli, kemi një lidhje shpirtërore./dritare.net

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Kuriozitete

Horoskopi ditor për nesër, e Hënë 23 Dhjetor 2024

Dashi Sot priten goxha ndryshime ne jetën tuaj ne çift. Rutina do marre fund dhe…

LEXO ME SHUME
Categories Kuriozitete

Horoskopi ditor për nesër, e Shtunë 21 Dhjetor 2024

Dashi Dita do të nis me pozitivitet dhe nëse jeni çift, do të keni mundësi…

LEXO ME SHUME
Categories Kuriozitete

Horoskopi ditor për sot, e Enjte 19 Dhjetor 2024

Dashi Marrëdhënia me partnerin nuk do jete shume e mire gjate kësaj dite madje mund…

LEXO ME SHUME
Categories Kuriozitete

Horoskopi ditor për nesër, e Martë 17 Dhjetor 2024

Dashi Saturni do të ketë ndikim aspak të pëlqyeshëm për të lindurit e kësaj shenje.…

LEXO ME SHUME
Categories Kuriozitete

Horoskopi Javor nga data 16 deri 22 Dhjetor 2024: Parashikimi i yjeve për secilën shenjë

DASHI Një javë plot mundësi për rritje personale dhe reflektime të brendshme hapet para jush.…

LEXO ME SHUME