Ajo është vetëm 35 vjeçe, por jeta që ka kaluar nuk ka qenë e lehtë. Matilda nga Durrësi është bërë sot pjesë e emisionit ‘Me zemër të hapur’. Nga studio e emisionit nëna e 4 fëmijëve apelon për ndihmë. Dy fëmijët e parë të cilët sot janë njëri 14 vjeç dhe tjetri 12 vjeç kanë ardhur në jetë nga martesa e parë, ndërsa dy të tjerët janë fryt i bashkëjetesës.
35-vjeçarja tregoi se po kalon një situatë të vështirë ekonomike, pasi bashkëjetuesi e ka braktisur.
“Prindërit e mi nuk e kanë aprovuar martesën time dhe më kanë braktisur për shkak të zgjedhjeve që unë kam bërë. Fëmijëria ime nuk ka qenë shumë e mirë. Babai ka qenë fanatik dhe unë pas 8-vjeçares nuk vazhdova më shkollën. Kisha dëshirë të vazhdoja por nuk më la babai, më hoqi nga shkolla”, -rrëfen nëna e katër fëmijëve. Matilda tregon se u martua me shokun e vëllait, ajo thotë se u dashurua me të, po më pas filluan të kishin probleme. “Pas fëmijës së parë linden problemet, por nuk më linte babai ta lija më thoshte ‘është turp’. Më pas u sëmura. Kur erdha në Tiranë hoqa veshkën dhe kur u riktheva, im shoq kishte shitur gjithçka, pasi ai luante bixhoz. U detyrova dhe u ktheva tek prindërit, por babai më thoshte vetëm një fëmijë mbaj, tjetrin çoja babait. Unë nuk mundesha dot t’i ndaja fëmijët dhe vendosa të largohem”, -shprehet nëna me lot në sy.
Ajo tha se familja nuk e pranoi zgjedhjen e saj. Gruaja është endur me vite të tëra nëpër dyert e administratës, bashkisë por nuk ka gjetur kurrë zgjidhje. Ndaj e gjendur në një situatë të tillë ekonomike ajo kërkon ndihmë me shpresën se dikush do t’i shtrojë dorën.