Categories Lajme

Ikin kasat e vjetra, vijnë “kasat” e reja, kostot mbeten mister

Nga Gjergj Erebara

Qeveria shqiptare ka vendosur të heqë nga qarkullimi dhjetëramijëra kasa fiskale të cilat i kanë kushtuar bizneseve shqiptare disa dhjetëramilionë euro, për t’i zëvendësuar me programe kompjuterike të cilat projektligji i propozuar sugjeron se do të prodhohen nga biznese private dhe do të duhet të blihen me detyrim nga tatimpaguesit.

Duke premtuar “rritje të të ardhurave tatimore deri me 15%”, qeveria shqiptare ka vendosur të zëvendësojë kasat aktuale fiskale të përdorura nga bizneset e mëdha në të gjithë vendin me programe kompjuterike që mund të përdoren nga një kompjuter apo një celular ‘smartphone,’ por programet e reja, njësoj si kasat e vjetra, do të prodhohen, instalohen dhe mirëmbahen në mënyrë private dhe do të paguhen sërish nga bizneset. Përveç kostos së panjohur të softuerit dhe mirëmbajtjes së softuerit, çdo biznes në Republikën e Shqipërisë detyrohet të pajiset me firmë elektronike, një shërbim i ofruar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, (AKSHI) dhe që aktualisht kushton 6,400 lekë për pajisjen dhe 7,300 lekë asistencë teknike 12 mujore.

Nga detyrimi për të përdorur softuere përjashtohen bizneset e vogla me xhiro nën 12 milionë lekë, të cilat gjithsesi ngarkohen me detyrimin për të pasur certifikatë elektronike dhe firmë elektronike, shërbime që ofrohen nga AKSHI përkundrejt pagesës. Përveç kësaj, të gjitha bizneset me përjashtim të shitësve ambulantë dhe bujqve, detyrohen të përdorin një pajisje si kompjuter, tabletë apo ‘smartphone’ në funksion të kërkesave të raportimit tatimor, si dhe të kenë një linjë interneti, e cila gjithashtu kushton. Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk i përgjigjën një kërkese për koment nga BIRN.

Projektligji i hedhur në konsultim publik më 31 korrik,  është nisma e radhës e qeverive shqiptare gjatë dekadës së fundit në emër të luftës kundër informalitetit, e cila pritet sërish t’i kushtojë taksapaguesve dhe buxhetit të shtetit, përfitimet e të cilave do të duhet të shihen në të ardhmen. Ndryshimet në sistemin fiskal vijnë pas një tenderi shumë të kushtueshëm dhe të mbushur me akuza për korrupsion me vlerë 1.9 miliardë lekë tetorin e kaluar. Sipas tatimeve, sistemi aktual i kasave, të cilat i kanë kushtuar bizneseve disa dhjetëramilionë euro përgjatë dekadës së fundit, nuk funksionon, dhe për këtë arsye, nevojitet programi i ri.

Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj, zbatimi i sistemit të ri “në vendet që e kanë implementuar këtë sistem para nesh kanë rezultuar në një mbledhje më të mirë të taksave nga 10%  deri në 15 %, referuar Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, dhe përmirësim të mbledhjes së Tatimit për të Ardhurat Personale”. Projektligji u prezantua të martën më 31 korrik nga Ministrja e Financave Anila Denaj dhe drejtoresha e Tatimeve Delina Ibrahimaj, të cilat gjatë prezantimit, nuk folën për kostot shtesë që pritet të sjellin për bizneset pajisjet e reja.

Sistemi fiskal shqiptar është aktualisht nga më të shtrenjtit në raport të kostove administrative me të ardhurat fiskale. Administrata tatimore pati një buxhet prej 2.3 miliardë lekësh gjatë vitit 2018 ndërsa menaxhoi të ardhura totale prej 143 miliardë lekësh. Kostoja e administrimit fiskal ishte 1.6% e të gjitha të ardhurave. Në këto të dhëna nuk përfshihen disa milionë euro të tjera të paguara nga bizneset për pajisje fiskale dhe për mirëmbajtje pajisjesh fiskale, kostot e paguara për pullat fiskale të prodhuara privatisht, gjë që mund ta rrisin koston totale të administrimit fiskal në mbi 2% të totalit tëtë ardhurave. Në vendet normale, kostoja e administrimit fiskal është rreth 1% e të gjitha të ardhurave fiskale të siguruara nga shteti.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Emrat \ Krimi tronditës në Shkodër/ Burri vret me çifte gruan

Pamjet që shihni tregojnë vendin ku ndodhi krimi tronditës sot në Shkodër, ku një 62-vjeçar…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Sarandë, Ujërat e zeza derdhen në det, afër plazhit publik dhe shëtitores (VIDEO)

Ujërat e zeza derdhen në det, vetëm pak metra larg plazhit publik dhe shëtitores në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Kali i del përpara motorit, burrë e grua mbeten të plagosur në Gramsh

Një aksident rrugor ka ndodhur gjatë natës në Çakrez të Gramshit, ku kanë mbetur të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zbardhet plagosja në Tiranë, arrestohen tre persona

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në rrugën “Frosina Plaku” në Tiranë,…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Dhunuan të miturën dhe publikuan pamjet, procedohen tre adoleshentet në Fier

Një incident i rëndë ka ndodhur në Fier, ku tre adoleshente kanë dhunuar një vajzë…

LEXO ME SHUME