Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), ka nisur kontrollet me inspektimin e bizneseve për zbatueshmërinë e masave që duhet të marrin për të mbrojtur punëtorët nga përhapja e koronavirusit. Kryeinspektorja e Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror, Vjollca Braho, e shoqëruar nga shefi i Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror Berat, Faik Shosha dhe inspektorë të këtij inspektorati, kanë kontrolluar 4 fasoneri në qytetin e Beratit për përmbushjen e kërkesave të “protokollit të kuq” të përcaktuar nga qeveria për vijueshmërinë e punës në ndërmarrjet fasone.Braho u shpreh se, qëllimi i këtyre inspektimeve është për të parë nga afër realizimin e “protokollit të kuq” të sigurisë, duke filluar nga kushtet higjieno-sanitare, masat e marra për të parandaluar COVID-19 dhe masat e marra nga fasoneritë për personelin, që nga përdorimi i maskave e dorezave, deri tek distancimi social prej 2 metrash midis punëtorëve.
Një tjetër pikë kyçe e këtij inspektimi, tha ajo, është edhe verifikimi i pranisë ose jo të mjekut brenda ambienteve të fasonerive për të kontrolluar çdo ditë gjendjen shëndetësore të punonjësve. Braho deklaroi se do të ketë tolerance “zero” për të gjitha bizneset që nuk respektojnë rregullat dhe shkelin ligjin në këtë situatë pandemie. Sipas saj të gjithë inspektorët në çdo qytet kanë qenë në terren që në fillim të situatës pandemike dhe do të vijojnë deri në fund të saj, për të përmbushur urdhrat e nxjerra nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.