Qeveria ka shpenzuar 38 miliardë lekë për investime publike në periudhën janar-gusht, ose 5.6 miliardë lekë më pak krahasuar me planifikimin. Në total në 8-muaj, janë realizuar vetëm 42% e planit vjetor. Kjo do të thotë se shqiptarët nuk po marrin mbrapsht atë për të cilën i paguajnë shtetit përmes taksave.
Ekspertët deklarojnë se shteti po kompenson në këtë mënyrë mbledhjen e dobët të të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat. Me shërbimet e munguara në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, rrezikon të dëmtojë më tepër ekonominë.
”Kemi afërsisht 250 milionë dollarë më pak investime të kryera nga Qeveria këtë vit, nga buxheti i taksapaguesve, investime që nuk do të kryhen edhe vitin e ardhshëm”, thotë Dorjan Teliti, ekspert për ekonominë, drejtor kabineti në Partinë Demokratike. “Janë realizuar 100% pagesat për koncesionet publike, për PPP-të, por nuk realizohen pagesat për ndihmën ekonomike, rritjen e pagave dhe pensioneve dhe investimet publike”.