Irani prezantoi një pajisje këtë javë për të cilën pretendon se mund të zbulojë rastet me Covid-19 nga rreth 100 metra larg. Shefi i Gardës Revolucionare iraniane, Hossein Salami tha se shkencëtarët vendas kishin shpikur pajisjen “më të mirë” për të zbuluar rastet e virusit “nga distanca” pa pasur nevojë për një test gjaku, shkruan Daily Mail. Se si do të funksiononte kjo është e paqartë, por mediat iraniane pretenduan se pajisja kishte një shkallë të saktësisë ’80 për qind’ dhe përfundimisht mund të adaptohej për ‘zbulimin e të gjitha llojeve të viruseve’.
Kjo pajisje ka mund të krahasohet me detektorët e rremë të bombave të shitura nga James McCormick, një britanik i cili bëri 20 milionë paund, përpara se të përfundonte në burg në vitin 2013. Vlerësohet se Irani ishte një vend që shumë herët e kishte virusin, madje u fajësua për eksportimin e virusit në të gjithë Lindjen e Mesme për shkak të mosveprimit.
Por agjencia e lajmeve Tasnim tha që pajisja ishte një ‘instrument i jashtëzakonshëm dhe unik’ i zhvilluar nga ‘shkencëtarët vendas’. Gjeneral Salami mori pjesë vetë në një “ceremoni zbulimi” ku tha se pajisja mund të përdoret për “ekzaminimin e njerëzve në një shkallë të gjerë”.
Salami tha se pajisja krijon një fushë magnetike e cila lokalizon një infeksion virusi brenda një rrezeje prej 100 metrash. Kur antena e pajisjes drejtohet kah një lokacion specifik, ajo do të zbulojë vendin e kontaminuar brenda rreth pesë sekondave, deklaroi ai. Pajisja është supozuar se është testuar në spitale me ’80 për qind saktësi’ dhe Irani shpreson të zhvillojë versione të azhurnuara për të provuar për sëmundje të tjera.
/Ora News.tv/