Ende nuk ka asnjë gjurmë nga 40 vjeçari Ermal Ngucaj nga Lepenica e Vlorës që është raportuar i zhdukur, që prej datës 12 Tetor. Motra e Ermalit, Jetmira ka folur për Fax News duke thënë se nuk ka asnjë detaj nga policia. Ajo ka kontaktuar miqtë e Ermalit në Facebook, por nuk ka nxjerrë asnjë detaj, ndërsa hetuesit i thonë se janë të paqartë se binte shi i madh. Sa i përket të kaluarës, u shpreh se ka bërë 7 muaj burg për një konflikt me guroren dhe ajo histori është mbyllur.
“Hetimet nuk janë në asnjë vend. Shkojmë pyesim dhe na thonë që jemi në hetim e sipër. Kam provuar nëpërmjet miqësisë që kishte në Facebook dhe thonë që kishim kohë që nuk dëgjohemi e nuk shihemi. Edhe policinë që e pyes deri ku ka arritur deri Ermal Ngucaj me makinën, kush e coi makinën deri në Mavrovë, na thonë se janë të paqartë se binte shi i madh.
Kam dijeninë vetëm me një djalë të fshatit që ishte në makinë të vëllait. E kam marrë në telefon nga Italia dhe e pyeta ku ishte vëllai, më tha që e ka cuar tek shtëpia dhe ka ikur. Në datën 12 Tetor në orën 7 e cerek deri në 8 kemi folur në messenger dhe më tha që ishte për në Vlorë dhe e kishte me dy mendje se binte shi. Ka folur dhe me nusen e i kishte thënë ‘Ik se ngatërrova rrugën’ dhe ishte nisur për në Vlorë. Po ku e ngatërroi rrugën ai, e njeh në çdo pëllëmbë, s’ka mundësi të humbiste rrugën. Në Vlorë do vinin prindërit e tij dhe meqë do vinin ata, do shoqëronte dhe shokun e tij.
E kanë marrë në pyetje se është në burg për çështjet e tij personale, jo për vëllain tim. Nuk kam asnjë informacion për vëllain, si nga shteti si nga miqësia e tij në Facebook. Kjo histori doli në të gjitha titujt e Shqipërisë, ka pasur një konflikt para 2 vjetësh që doli vjet nga burgu me guroren në fshat, por është muhabet i mbyllur”, tha Jetmira Ngucaj. Ndërkohë shton se i vëllai ishte i papunë dhe hedh poshtë përfshirjen në aktivitete kriminale që mund të mos i dinte familja.
“Po të merrej me atë punë, do e dinim, por vëllai im ishte pa kokërr leku në xhep. Rronte me pensionin e prindërve, rrogën e nuses dhe cfarë i dërgoja unë. Nuk ka asnjë të dhënë as nga konflikti që ka kaluar dhe hëngri 7 muaj b urg, kështu që policia nuk po na thotë gjë dhe po i humbas shpresat në të gjitha mënyrat. Mendimi im është se dikush që ka pasur besim e ka marrë nga Vlora dhe e ka çuar në Mavrovë. Unë do bëj të pamundurën që të dalë kjo gjë në dritë, sido që të jetë puna, vetëm ta dimë çfarë i ka ndodhur vëllait”, përfundoi Jetmira. (A.M/Faxweb.al)
