Italia ka shënuar këtë të martë 236 viktima nga koronavirusi, duke e çuar totalin në 29,315, vetëm një ditë pasi vendi hyri në “fazën e dytë të krizës së pandemisë”. Rastet të reja janë 1.075. Ky është një numër shumë i ulët krahasuar me shifrat e muajit mars kur numri i rasteve të reja shkonte mbi 6000.
Të dhënat e publikuara nga Departamenti i Mbrojtjes Civile konfirmuan se Italia ka kaluar kulmin e shpërthimit dhe më shumë se 4 milion njerëz të hënën u kthyen në punë pas dy muajsh bllokim. Sipas rregullave të fazës 2, shtetasve italianë u lejohet të vizitojnë të afërmit dhe të lëvizin më lirshëm brenda secilit rajon. Disa biznese rinisën aktivitetet, por nën protokolle sigurie.
Numri i infeksioneve të reja aktive ka rënë me 1.513, rënia më e madhe që nga fillimi i shpërthimit. Ndërkohë, shifrat e pacientët të shëruar janë rritur duke e çuar totalin në 85.231. Shumë pacientë lanë kujdesin intensiv, duke lehtësuar presionin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor të Italisë.
Rajoni verior i Lombardisë mbetet problem, ku viktimat vazhdojnë të rriten, duke arritur në 14,389, gati gjysmën e vdekjeve totale në vend. Një studim i agjencisë ISTAT, tregon se nga 21 shkurt, kur u raportua vdekja e parë nga koronavirusi, deri më 31 Mars, vdekjet në mbarë vendin janë rritur me 39%.