Autoriteti italian i Aviacionit Civil njofton se nga ora 00:01 e datës 13 janar, e hënë, kompania Fly Ernest do të nderpresë të gjithat operacionet ajrore. Pra siç ishte njoftuar, nga e hëna kjo kompani nuk do të kryejë asnjë fluturim në gjithë botën.
Në këtë kuadër, autoriteti italian u kërkon udhëtarëve që posedojnë një biletë të lëshuar nga “Ernest”, të datës 13 janar 2020 e më tej, të mos shkojnë në aeroport dhe të kontaktojnë kompaninë ajrore për çdo informacion.
Përgjatë këtyre ditëve, Fly Ernest ka kryer disa fluturime me avionë me qera të shkurtër (ditore) nga kompani të tjera, duke pasur dhe probleme me shërbimin e klientit në telefon, email dhe aeroporte. Kjo sjellje jo korrekte e kompanisë ka bërë që shumë pasagjerë të humbasin fluturimet e tyre dhe të kenë vonesa me fluturime alternative.
Edhe Autoriteti shqiptar i Aviacionit Civil thotë se ka monitoruar nga afër situatën dhe ka informuar publikun nëpërmjet deklaratave për media, për mënyrën se si duhet të veprojnë, duke ndjekur udhëzimet e kompanisë dhe autoriteteve italiane.
Ndërkohë sot, më datë 10 Janar 2020, Autoriteti i Aviacionit Civil është njoftuar nga pala italiane se Fly Ernest do të kryente edhe 4 fluturime përgjatë ditës së shtunë 11 Janar dhe 8 fluturime të tjera përgjatë të dielës 12 Janar, me një avion me qera. Por po sot, në orën 16:00, Fly Ernest ka informuar Autoritetin e Aviacionit Civil shqiptar me një tjetër korrespondencë, ku thuhet se i anullon të gjitha fluturimet nga nesër.
Menjëherë, AAC është lidhur me drejtuesit e ENAC të cilët janë shprehur se se edhe ata si autoritet përgjegjës sapo ishin informuar për këtë vendim të Fly Ernest dhe se kompania “i ka garantuar se do të bënte rimbursimet e biletave të shitura”.
Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar u rekomandon të gjithë pasagjerëve me bileta të prera me Fly Ernest, të konfirmojnë dhe kontaktojnë kompaninë, aeroportin, agjencinë për statusin e fluturimit të tyre para se të nisen për në aeroport. Gjithashtu, të gjithë pasagjerët duhet të bëjnë aplikimin për rimbursim të çmimit të biletës tek faqja zyrtare e kompanisë.
Njoftimi i Autoritetit shqiptar të Aviacionit Civil:
Njoftimi i Autoritetit italian te Aviacionit Civil:

