Një video në Youtube po ndihmon të moshuarit e një institucioni përkujdesjeje në Japoni të ushtrohen fizikisht teksa epidemia e Kovid-19 i ka izoluar ata brenda prej më shumë se një muaji.
Gratë e moshuara në qytetin e Saitamasë në Japoni praktikojnë ushtrime për të mbajtur trupin në formë, pasi u është ndaluar ekspozimi në ambientet e jashtme nga frika e epidemisë së koronavirusit.
Moshat e treta shkathtësohen duke ndjekur një video të realizuar posaçërisht nga institucioni për të moshuarit ku ata qëndrojnë.
Ushtrimet e hedhura në faqen e Jutubit zgjatin pesë minuta dhe ndihmojnë qarkullimin e gjakut por edhe forcojnë muskujt e këmbëve dhe të shpinës.
“Kur jam në shtëpi, rrallë mund të dal për një xhiro jashtë. Vetëm nuk ushtrohem dot, por te qendra këtu, mundem,” thotë një banore 86-vjeçare.
“Kur shoh videon, edhe zbavitem, edhe stërvitem. Për mua është ide e mirë,” shprehet një tjetër japoneze 79-vjeçare, banore e shtëpisë për të moshuarit.
Japonia ka mbyllur shkollat dhe ka anuluar aktivitetet publike për të ndalur transmetimin e koronavirusit.
Të moshuarit janë më të rrezikuarit nga efektet e virusit, kur dihet se Japonia ka popullatën më të vjetër në botë, 28 për qind mbi moshën 65 vjeç.
Të martën, vendi raportoi një total prej 830 rastesh bartëse të infeksionit dhe 27 të vdekur që nga përhapja e sëmundjes nga Kina në muajin janar.
Pas një videokonference me partnerët e G7-ës, kryeministri japonez Shinzo Abe tha se ende nuk është vendosur për shtyrjen e Lojërave Olimpike që planifikohen në korrik, por se qeveria ka marrë masat për të minimizuar pandeminë e koronavirusit.
