Abuzimi me karburantet nuk është vetëm tek pagesa e faturave apo e detyrimeve. Cilësia e karburanteve është shqetësimi kryesor i drejtuesve të automjeteve në Shqipëri.
Ekspertët shprehen se shkak është përzjerja me lëndë të tjera të cilat ulin koston, por që shtojnë dëmin në shumë prej pikave të furnizmit. “Patjetër që tek automjetet do krijonte probleme, sepse dy tregues kryesorë që janë numri i cetanit dhe indeksi i cetanit, që lidhen me momentin e ndezjes dhe me fuqinë e automjetit, patjetër që do kishte probleme në lëvizjen e automjeteve”, tha eksperti.
Si pasojë e kësaj situate në rrugë hasen automjete që lëshojnë gazra mbi normat e lejuara, ndërsa shpesh dhe ato makina të prodhuara së fundi janë në limitin e lejuar për ndotjen.
Kjo nuk është një situatë e re. Përzierja e karburantit dyshohet se ka vijuar prej vitesh të tëra, ndërsa askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për dëmet e shkaktuara. Ndërkohë shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë me çmime ndër më të shtrenjtat në rajon dhe pa garanci se po marrin shërbimin e duhur.