Historia e dhunës që tronditi opinionin publik vetëm pak ditë më parë në Borizanë të Fushë-Krujës duket se nuk ndalet.
Dy ditë më parë, vëllai i njërit prej personave të dhunuar ka kërkuar ndihmën e Policisë për një mori kërcënimesh në rrjetet sociale. Ajo që përbën edhe më shumë shqetësim është fakti se atij i është përmendur edhe eliminimi fizik, çka ka alarmuar Policinë e Tiranës.
Ndërkohë që Policia e Shtetit është ende në kërkim të njerëzve më të afërt te ish-deputetit Rrahman Rraja, përfshirë edhe të birin, i cili duket se ka vendosur të mos i bindet thirrjes së të atit për tu dorëzuar, një tjetër anëtar i familjes Maja është kërcënuar me jetë për shkak të denoncimeve edhe pse ata vetë e filmuan ngjarjen e rëndë.
Ngjarja mori përmasa të mëdha pasi sekuenca të atyre pamjeve brutale të dhunimit të Bilbil e Jashar Majas u nisen në drejtim të mediave pas mesnatës së 6 korrikut. Policia ndonëse tentoi të kamuflonte aktin barbar të burrave të fisit Rraja me një njoftim të shkurtër dhe të paqartësuar se çfarë kishte ndodhur, reagimi i ashpër i opinionit publik solli “furtunë” që nga ministri e deri tek policët e terrenit në zonë.
Ose të paktën, kështu u la të kuptohej ajo lëvizje nga ana e qeverisë.
Lulzim Maja, vëllai i Jashar Majës që u dhunua barbarisht bashkë me kushëririn Bilbilin nga anëtarë të fisit Rraja në një lokal në Thumanë, mori mesazhe kërcënuese në “Facebook” të hënën e 10 korrikut.
Mësohet se personi që ende nuk është identifikuar nga policia i ka përmendur plumbat dhe drurin 43- vjeçarit dhe se ai do e shihte se çfarë do t’i bënte kur ta takonte nga afër. Të gjitha mesazhet kërcënuese janë administruar nga policia dhe Lulzim Maja është pritur nga vetë drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, që e ka garantuar se blutë do të identifikojnë sa më parë të jetë e mundur autorin e këtyre mesazheve.
Por, këto nuk janë mesazhet e para kërcënuese ndaj Majës, teksa mesazhe të ngjashme ka marrë në rrjetin social “TikTok” edhe para aktit barbar të dhunës ndaj Jashar e Bilbil Majës, por në atë kohë nuk u ka kushtuar rëndësi. Të gjitha kërcënimet, në “Facebook” dhe “TikTok” janë administruar nga policia dhe po hetohen për veprat penale “Kanosja” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, materiale që janë referuar edhe në Prokurorinë e Tiranës. Nuk dihet nëse pas tyre fshihet ndonjë familjarë i Rrajave, teksa këtë pritet ta qartësojnë hetimet.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar në Thumanë, Policia deri më tani ka mundur të arrestojë 4 persona dhe të shpallë në kërkim 6 të tjerë. Të arrestuarit dolën para Gjykatës Penale të Tiranës dhe 3 prej tyre, Ineidi Rraja, Eni Kulla dhe Andi Rraja janë lënë në masë sigurie “Arrest në burg”, ndërsa pronari i lokalit, Kujtim Përdaku u la i lirë me “detyrim paraqitje”.
Por, policia akoma nuk ka mundur të gjejë të shpallurit në kërkim, Rexhep Rraja, Xhelal Rraja, Flamuri Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta. Dy të parët, djali dhe vëllai i ish-deputetit të dorëhequr socialist Rrahman Rraja konsiderohen si organizatorët kryesor të dhunës nga ana e policisë. Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, pasi ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në guroren e Rrajave, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth.
Banesat e dëmtuara nga shpërthimet u treguan publikisht nga vetë banorët. Vetëm pas shpërthimit të skandalit, autoritetet bllokuan punën në gurore, teksa kjo solli një reagim zinxhirë, duke nisur nga shkrirja e komisariatit të Krujës, deri tek dorëheqja e deputetit Rrahman Rraja dhe shkarkimi i ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi. Të gjitha këto lëvizje u tha se ndodhen për shkak të asaj ngjarjeje tronditëse!
