Edhe pse situata po përkeqësohet dita ditës, Suedia ende nuk ka marrë masat kufizuese si të gjithë vendet e Evropës për frenimin e koronavirusit. Në 24 orët e fundit, në vend kanë humbur jetën 84 persona, duke e kaluar kështu pragun prej 2 mijë viktimash. Ndërkohë, janë shënuar 751 raste të reja të personave të infektuar.
Kjo mbretëri me 10,3 milionë banorë, e cila ka ndërmarrë masa më elastike se shumica e vendeve evropiane për frenimin e përparimit të virusit, tani numëron 16 755 infektimi dhe 2 021 vdekje, një vdekshmëri dukshëm më e lartë nga sa vërehet te fqinjët e saj veriorë. Deri më tani në vend janë shëruar 550 persona, ndërsa 533 pacientë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në Suedi, ndryshe nga vendet e tjera evropiane, kontrollimi i popullatës nuk është i domosdoshëm për të frenuar epideminë. Të vetmet kufizime kryesore janë tubimet e më shumë se 50 personave, si edhe vizitat në azilet e pleqve. Suedia renditet tashmë e 19-ta në botë për numrin më të madh të rasteve të infektimit, ndërsa renditet e 14-ta për numrin më të madh të viktimave.