Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar pas një deklarate të kryeministrit Edi Rama, ku shënjestronte gazetaren.
“I paska dalë gjumi mbretit lakuriq…o mbret që s’ta tha njeri që je lakuriq prej 14 vitesh.
Të sfidoj të më dërgosh një foto të inceneratorit të Tiranës që na ka gllabëruar miliona euro.
Pastaj më etiketo si të duash. Lëkura shollë na është bërë nga balta juaj!
Nëse ke kurajo përballem në debat kur të duash!
PS. Mos harro në Durrës ke 1500 shtëpi dhe mijëra hektarë tokë nën ujë. Presin dëmshpërblim”, shkruan Lala.
Më herët, kyeministri Edi Rama ka reaguar ndaj gazetares Klodiana Lala, pas një komenti publik lidhur me çështjen e ndotjes nga plastika dhe rolin e inceneratorit të Tiranës.
“Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet…
Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes e dizinformimit!
Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh”, shkruan Rama.

