Komisioni Hetimor për kreun e shtetit Ilir Meta i cili do të mbyllej me datë 8 tetor, do t’i kërkojë Kuvendit zgjatje të afatit të punimeve. Kjo për shkak se në 12 tetor Komisioni i Venecias do të sjellë në Kuvend një raport paraprak mbi kreun e shtetit Ilir Meta. Ky raport do të përmbajë përgjigje teknike për 8 pyetjet e ngritura nga Komisioni Hetimor për Metën.
Opinioni i Venecias do të ndikojë më pas në vendimin që Komisioni Hetimor do të marrë lidhur me kreun e shtetit, nëse do t’i kërkojë apo jo Kuvendit, shkarkimin e tij.
Kjo është mbledhja e parë e komisionit pas seancës së fundit, kur presidenti Meta u paraqit në Komision si i pandehur ku tha se anulimi i menjëhershëm i 30 qershorit pa u konsultuar më parë me asnjë forcë politike, erdhi pas informacioneve që ai mori nga institucione të rëndësishme të sigurisë, se në protestën antiqeveritare të opozitës më 8 qershor do të digjej Kuvendi.
Ndërkohë që ditën e djeshme presidenca publikoi në faqen e saj zyrtare edhe raportin 55-faqësh, që Meta do të përdorë për t’u mbrojtur para Venecias në datë 11 tetor, pikërisht kur ky komision të vendosë edhe me opinionin final mbi këtë çështje.
Kreu i shtetit Ilir Meta ka deklaruar se nëse Komisioni i Venecias do ta shpallë fajtor, do të tërhiqet nga posti i tij.