Vijon të rritet ndjeshëm numri i viktimave dhe të prekurve nga koronavirusi.
Këtë mëngjes është konfirmuar se numri i viktimave nga koronavirusi në Kinë ka shkuar në 908, ndërsa 40.117 është numri i të infektuarve nga virusi vdekjeprurës.
Dje u shënua numri më i lartë i vdekjeve brenda 24 orëve, ku 97 persona humbën jetën si pasojë e virusit.
Me këtë bilanc të frikshëm viktimash, koronavirusi tejkalon numrin e jetëve të humbura nga epidemia SARS e viteve 2002-2003, sipas të dhënave zyrtare.
Vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan 3.062 raste të reja me koronavirus, shumica e të cilëve në provincën Hubei, aty ku dhe shpërtheu virusi.
Epidemia SARS, e cila gjithashtu filloi në Kinë, u mori jetën 774 personave në të gjithë botën.
Referuar të dhënave zyrtare, ka pasur vetëm dy vdekje të konfirmuara nga koronavirusi jashtë territorit të Kinës, një në Hong Kong dhe një në Filipine.
Disa biznese kineze rifilluan punën të hënën, pas pushimeve të tejzgjatura të Vitit të Ri Hënor, që synonin të ngadalësonin përhapjen e virusit.
Megjithatë, në shumë qytete të mëdha vijojnë të jenë ende mbyllur shkollat dhe shumica e bizneseve, si dhe vijojnë të jenë pezulluar fluturimet dhe transporti rrugor e hekurudhor.
Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut, një nga më të mëdhenjtë në botë, ishte tërësisht i zbrazët të dielën.
Koronavirusi ndër të tjera ka dëmtuar rëndë ekonominë kineze, duke i shkaktuar miliona dollarë humbje gjatë këtyre ditëve të fundit.
