Kullat e zaptuara prej shumë vitesh në Krujë do të shndërrohen në qendra tërheqëse kulturore apo pika informacioni për turistët.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ishte sot në Krujë ku pas një vizite, theksoi se sheh një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh të banorëve për pasuritë kulturore të qytetit të tyre.
“Sa herë që kthehem në Krujë, shoh se si banorët po ndërgjegjësohen për pasuritë kulturore të qytetit të tyre. Vizituam sot kullat e liruara, pas një zaptimi shumëvjeçar. Të përdorura si depo, shumë shpejt ato do të kthehen në qendra tërheqëse kulturore apo pika informacioni për turistët”, tha Margariti.
Ajo falënderoi punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Durrës dhe ata që çdo ditë kujdesen për mirëmbajtjen e kalldrëmeve e mureve të kalasë, duke i pastruar nga vegjetacioni.