Blutë e Tiranës vunë në pranga një ish-polic dhe tre persona të tjerë, të dënuar nga Gjykata e Posaçme pasi në mënyrë të kundraligjshme, kundrejt ryshfetit u kthenin drejtuesve te automjeteve patentat e bllokuara nga policia rrugore.
Në pranga ka rënë punonjësi i policisë së shtetit, Kujtim Xhaja, 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Posaçme e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Po ashtu policia ka arrestuar edhe Enis Ballën 40 vjeç, dhe Revi Osmani, 28 vjeç. Ata janë dënuar përkatësisht me nga 8 muaj burgim për veprat penale “Ndikim i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni aktiv” kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë i katërti i arrestuar, është specialist i administrimit të dokumenteve, Alkid Ndreu, 49 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme e ka dënuar me 9 muaj e 25 ditë burgim për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Katër të arrestuarit që janë dënuar nga GJKKO, janë pjesë e një rrjeti të goditur nga SPAK me 25 të pandehur. Gjatë hetimit të nisur në vitin 2023, SPAK zbuloi se personat e përfshirë mes tyre edhe efektivë policie, merrnin dhe jepnin ryshfet për të kthyer para afatit patentat e pezulluara. Duke marrë ryshfet deri në 1500 euro, patentat e bllokuara arriheshin të merreshin nga kartoteka e Organi Administrativ Shtetëror para afatit të pezullimit.