Tiranës i rikthehet zhurma e makinave të vjetra bashkë me nostalgjikët e tyre duke improvizuar edhe sport, edhe art brenda në një festë. Karvani i mjeteve RETRO nga koleksioni shqiptar, me një DJ Jazz&Swing që prin varganin lëvizës, nis paradën në kryeqytet. Hapni dritaret, shijoni diellin, ajrin e pastër dhe pak histori t’ju kalojë si serenatë mesdite nën ballkon.
Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bën të ditur se parada RETRO e mjeteve të koleksionit historik shqiptar rikthen dashurinë për artin e të bukurën në rrugët e kryeqytetit, si një surprizë në Ditën e Europës, për të gjithë dashamirësit e nostalgjisë nën ritmet Jazz&Swing. “Një pasion që jeton mes kujtimeve për t’u soditur tashmë nga dritaret dhe ballkonet e shtëpisë”, e ka cilësuar kreu i DPSHTRR, Gonxhja.
Karvani, u nis nga “Arena Kombëtare”, duke vijuar në rrugën “Vasil Shanto”, për tu rikthyer te “Piramida”, e më pas përshkroi rrugën përgjatë zonë së “21 dhjetorit”, për tu rikthyer përmes “Rrugës së Kavajës” në sheshin “Skenderbe”, për të zbritur në sheshin “Zogu i Zi” dhe më pas përgjatë unazës u rikthye sërish në shesh, ku përshkroi edhe “Rrugën e Dibrës”, kalojë në zonën e “Xhamlllikut”, përmes “Pazarit të Ri”, e më pas në zonën e “Ali Demit”, për tu kthyer sërish përgjatë Unazës e bulevardit pranë “Arenës Kombëtare”.
Në Shqipëri, vlerësohet se ka një numër të konsiderueshëm mjetesh rrugore të hershme, por që për shkak se nuk ka pasur një akt ligjor që të mbrojë dhe promovojë këtë pasion, nuk kanë qenë asnjëherë të ekspozuara tërësisht. Nga verifikimet në terren ka mjete rrugore që pavarësisht viteve, janë të ruajtura në kushte shumë të mira teknike, madje mund të qarkullojnë në rrugë.
Tashmë është krijuar Qendra Historike Shqiptare RETRO, një hapësirë ku mund të gjenden mjete të hershme dhe jo vetëm, por edhe pjesë mjetesh, dokumentacione, targa të ruajtura nga koleksionistë të sendeve apo relikeve të vjetra dhe që janë të mirëmbajtura.