Kulture

Përfundoi me sukses edicioni i XIV i “Aulona Inter Folk Festival”, 2022, Fitues i Kupës së festivalit, Ansambli “Izvorasul”, Moldavi

Përfundoi me sukses edicioni i XIV i “Aulona Inter Folk Festival”, 2022.

Fitues i Kupës së festivalit, Ansambli “Izvorasul”, Moldavi

Pas tri ditëve me aktivitete të pandërprera është mbyllur edicioni i katërmbëdhjetë i Aulona Inter Folk Festival i cili u mbajt në qytetin bregdetar të Vlorës në datat 28, 29, 30 maj 2022.

Plot katërmbëdhjetë grupe e ansamble folklorike ( aq sa edicione), nga shtatë shtete të Ballkanit dhe Europës, për tri ditë me radhë e kthyen Vlorën dhe rrethinat e saj në një skenë të stërmadhe natyrale ku ritmet e valleve e ngjyrat plot kolorite përndritën jo vetëm skenën zyrtare të festivalit por edhe rrugët, trotuaret, sheshet e mjediset e tjera të infrastrukturës duke i dhënë qytetit një spektakël gjigand folklori me këngë e valle tradicionale nga popuj të Ballkanit e Europës.

Edicioni i këtij viti e çoi në 105 numërin e përgjithshëm të ansambleve e grupeve folklorikë që janë ngjitur në skenën e këtij festivali në këto katërmbëdhjetë vite, duke prurë në qytetin e Vlorës plot 3 850 festivalistë nga 28 vende të Ballkanit, Evropës e Azisë.

Të zotët e shtëpisë, Vlora, ngjiti në skenë Ansamblet “Krahu i Shqiponjës Taip Madani” e “P & E” si dhe grupet polifonike , “Krojet e Velçës” e “Bilbili”.

Nga Kosova Ansambli “Isa Boletini” e “Anamorava”, Mali i Zi, u përfaqësua me Ansamblin “Trojet Tona”, nga Zvicra grupi popullor “Hareja” , nga Gjirokastra Ansambli “Lunxhëria, grupi i valleve “Rodhon to Amarandon”, nga Saranda , Rumania me Ansamblin “Crisana”, Bullgaria me Ansamblin “Zdravets” ndërsa Moldavia u përfaqësua më Ansamblin “Izvorasul”.

U prit me mjaft emocione edhe performanca e realizuar nga një grup qytetarësh amerikanë ardhur në Vlorë për pushime por edhe për të mësuar vallen shqipe.

Nën drejtimin e koreografit të AKKVP ata performuan në skenë duke përshëndetur festivalin, veshur me kostume popullore nga “Tradita Popullore – Edlira” e Edlira Sulaj .

Gjatë ditëve të festivalit pjesëmarrësit u njohën jo vetëm me qytetin e Vlorës, me vende historike e arkeologjike, por patën rastin të vizitojnë edhe Manastirin në Ishullin e Zvërnecit si dhe me plazhet e mrekullueshme të Radhimës ku Resorti “Bojo” për një ditë u vendos i tëri në dispozicion të festivalistëve.

Në hapje festivali nderoi me një këngë elegjike si homazh poetin dhe regjisorin Petrit Ruka i cili prej nisjes ka qenë anëtar i bordit të Qendreës Kulturore “Aulona” dhe regjisor i përvitshëm i festivalit.

Duhet thënë se në këtë edicion pati një performancë të shkëlqyer edhe parade e kostumeve e cila për herë të parë u zhvillua në mbrëmje duke e kthyer në një pedonale shumëngjyrshe Bulevardin “Ismail Qemali” të qytetit.

Festivali nderoi gjithashtu edhe burrin e shquar të kombit Hasan Prishtina i cili vetëm pak kohë më parë e pas 110 vitesh nga shpallja e Pavarësisë “erdhi” derdhur në shtatore, në Vlorë.

Në natën e tretë të festivalit u ngjitën në skenë të gjitha grupet pjesëmarrëse ku me pjesët e tyre më të zgjedhura prunë për qytetarët e Vlorës një spektakël të jashtëzakonshëm folklori.

Në fund për të gjitha grupet u ndanë Diplomat dhe emblemat e festivalit.

Kupën e edicionit të XIV të festivalit e meritoi Ansamblin “Izvorasul” nga qyteti Cahul, Moldavi, të cilën, pas një përshëndetje për festivalin, e dorëzoi kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.”

Mirë u takofshim në edicionin e XV, jubilar, Maj 2023!

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close