E vetmja gjë e sigurt për merkaton e ardhshme, kurdo që të hapet, është fakti se ekipet nuk do të shpenzojnë më shuma marramendëse, kjo si pasojë e krizës së madhe ekonomike që ka sjellë Covid-19. Goditjet e mëdha mund të jenë të izoluara, shumë pak klube mund ta kenë luksin të bëjnë ndonjë lëvizje të tillë, Chiesa tek Inter ose Juve, apo Lautaro tek Barcelona. Merkato e ardhshme pritet të jetë e veçantë pasi në pjesën më të madhe do të zhvillohet me shkëmbime lojtarësh ose me futbollistë nën 23-vjeç, lojtarë të rijnë e premtues për të ardhmen.
Sipas “Sportmediaset”, kur bëhet fjalë për lojtarë të tillë, emri më i rëndësishëm në Serie A është Marash Kumbulla. Qendërmbrojtësi kuqezi është shndërruar në një nga pikat më të forta të Veronas, një lojtar me aftësi shumë të mira mbrojtëse. Kumbulla sipas “Sportmediaset”, është kthyer në objektin kryesor të Interit, me ziklatërit që e shohin si futbollistin ideal për të përforcuar repartin mbrojtës. Napoli është ekipi tjetër që kërkon Kumbullën me insistim, blutë provuan edhe gjatë merkatos së janarit të afrohen me mbrojtësin shqiptar.