Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer ironitë teksa është pyetur në lidhje me faktin se kush do e ndërtojë portin e ri të Durrësit. Ai i tha gazetarit Blendi Fevziu se do ta ndërtojnë ata që janë në kërkim.
Mes të tjerash ai ironizoi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Po këta që janë në ndërtim pra. Po kompania e Muhamed Alabarit pra. Të paktën që kur flitet për këto vepra, duhet të kemi solidaritet. Këta investitorë të mëdhenj mos t’i trembim. Porti i Durrësit do të jetë transformim, jo vetëm për atë qytet, por për Shqipërinë. Në të gjitha aspektet, ne do ta ndërtojmë. Jo falë Muhabet Alabarit, por princit të Kurorës. Ne nuk do t’i hyjmë se si funksionojnë Emiratet e Bashkuara. Porti i Durrësit ndërtohet si vazhdim i një marrëveshje mes dy qeverive.
Historia që të kapim Muhamed Alabarit dhe ta kapim me parajsa fiskale, këto i bën ish-PD-ja. Ka të vdekur që janë të gjallë, ka të gjallë që janë të vdekur. Mos i përdor më ato që janë nga bota tjetër. Ka të vdekur që nuk vdesin kurrë, dhe ka të gjallë që janë të vdekur. Me të vdekurit mos na ngatërro, të lutem shumë. Flasim këtu për të gjallët. Zëri që vjen nga opozita, vjen nga bota tjetër. Ai nuk është gjallë. Nuk bëj teatër. Të gjallë që kanë vdekur, ka plot.”, tha Rama.
