
Shqipëria është vendi i çudirave. Ngjarja e fundit që e tregon këtë fakt, është nisma e kryebashkiakut të Hasit, Liman Morina, për të vendosur statujën e Mbretëreshës Elizabeth II, në sheshin e Hasit, në shenjë mirënjohje për emigrantët shqiptarë që banojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
Morina tha në një intervistë për Euronews Albania se ky vendim u mor për të shprehur mirënjohjen ndaj Mbretërisë së Bashkuar që siç theksoi është i vetmi burim mbijetese për shumë hasjanë.
Nuk dihet se për çfarë do të falenderohet konkretisht Mbretëresha dhe si lidhet statuja e saj me emigrimin e shqiptarëve, megjithatë nëse ajo do të realizohet, me siguri do të tërheqë vëmendje të madhe edhe në gazetat dhe tabloidet britanike, të cilat kohët e fundit e kanë patur Shqipërinë në fokus, kryesisht për faktin se mijëra shqiptarë shkojnë në MB me gomone në mënyrë të paligjshme.
Sipas kryebashkiakut, prej më shumë se gjashtë vjetësh Hasi është lënë në harresë të plotë nga qeveria çka i ka detyruar shumë të rinj të largohen, kryesisht drejt Britanisë së Madhe. Morina tha se aktualisht çdo familje hasjane ka një ose më shumë pjesëtarë në MB.
“Mbi 80 për qind e hasjanëve mbijetojnë falë ndihmës që vjen nga Mbretëria e Bashkuar. Çdo familje ka një person në Angli. Aktualisht edhe të punësuarit duan të ikin, pasi rrogat janë minimale. Muajt e fundit ka një trend shumë të lartë largimesh”, thotë kryebashkiaku.