Lajme

DOKUMENTI SEKRET/ Arkiva britanike: Enveri pranoi gjysmë-autonomie për minoritetin grek, përgjegjësia për dëbimin e çamëve bie mbi shqiptarët

ERALD KAPRI/ Tragjedia çame mbetet një plagë e hapur, ndërsa përgjegjësia për dëbimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve dhe vrasja e mijërave të tjerë ende nuk është zbardhur dhe nuk është ndëshkuar. Dokumentacioni britanik i kohës jep të dhëna mjaft interesante për dëbimin e minoritetit shqiptar nga Çamëria nga forcat e famëkeqit Napoleon Zervës. Sakaq, zyrtarët e Londrës zbardhin të dhëna të panjohura për rolin inaktiv të autoriteteve shqiptare për të frenuar këtë tragjedi dhe në dështimin e tyre për të kthyer mbrapsht në shtëpitë e tyre shqiptarët e Çamërisë.

Në një raport prej qindra faqesh për luftën në Shqipëri, autoritete ushtarake britanike përgatitën edhe një kapitull me dhjetëra faqe mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë kohës së luftës, i firmosur nga komandanti i përgjithshëm i britanikëve të “Force 399”. Britanikët, për shkak të afërsisë me palët luftuese në Greqi, kishin pothuaj një informacion të plotë mbi ngjarjet e kohës së luftës. Raporti në fjalë flet gjerësisht për marrëdhëniet që nacionalistët shqiptarë, ata të Ballit Kombëtar dhe qeverisë nën pushtimin gjerman, por edhe komunistët e FNÇ, që kishin me forcat luftuese greke. Sipas britanikëve, qeveria në pushtet nën pushtimin gjerman, ndonëse e denoncoi fort dëbimin e çamëve në mesin e 1944, nuk arriti dot të bëjë diçka konkrete për shkak se ishte e kompromentuar si një qeveri kuislinge. Nga ana tjetër, komunistët e LNÇ tentuan më shumë ta përdorin politikisht këtë ngjarje.

Ata nuk folën aspak për këtë ngjarje dhe e denoncuan atë vetëm në dhjetor 1944, kur tashmë kishin ardhur në pushtet dhe kur kishin nisur të ishin hapur aleatë të komunistëve grekë. “Herët në dhjetor 1944 dy oficerë të EAM-it erdhën në Korçë nga Athina dhe u takuan me Enver Hoxhën në Tiranë dhe më pas u kthyen në Greqi nga Gjirokastra. Në dhjetor, 10 kamionë me trupa të ELAS u lejuan që të përdorin rrugën që kalon nga Florina për në Korçë dhe hynë në veri të zonës së Janinës. Në 24 dhjetor u raportua se lajmëtarët e EAM-it vinin çdo ditë në zonën e Gjirokastrës me makinë nga kufiri.

Propaganda e FNÇ gjatë këtij muaji theksonte miqësinë me EAM duke bërë akuza si “luftë kundër fashizmit, “fashizmi britanik” etj”, thuhet në raportin britanik për ndihmën e komunistëve shqiptarë ndaj atyre grekë. Madje ky raport thotë më tej se komunistët shqiptarë dërguan të luftojë me komunistët grekë edhe shqiptarë nga komuniteti çam në betejën për Janinën, më 20 dhjetor 1944. Më tej, raporti thotë se komunistët shqiptarë nuk i trajtonin mirë refugjatët çamë dhe i konsideronin si tradhtarë.

Ndërkohë, britanikët raportonin se Hoxha ishte dakord edhe për një gjysmë autonomie për minoritetin grek në Shqipëri, një ide që duket nuk u arrit për shkak të zhvillimeve të mëvonshme të acarimit të marrëdhënieve dhe luftës civile në Greqi. “Partizanët shqiptarë kanë shfaqur mospërfillje dhe mospëlqim për refugjatët e minoritetit shqiptar në Greqi dhe ata konsideroheshin të degjeneruar dhe të korruptuar. Vetë komiteti i minoritetit shqiptar do të deklaronte se ata ishin pjesë integrale e popullit grek. Në fakt, trajtimi i minoritetit grek nga FNÇ ishte më i kujdesshëm dhe i respektueshëm se sa ata i bënin minoriteti shqiptar çam që erdhën nga Greqia. Ndërsa kundërshtonte idenë e një plebishiti apo dhe shkëmbim popullsish, gjenerali Hoxha deklaroi se anëtarët e minoritetit grek në Shqipëri janë të lirë të emigrojnë në Greqi. Është propozuar edhe alternativë për një formë gjysmë autonomie”, thuhet në raport.

PJESË NGA RAPORTI BRITANIK
Marrëdhëniet mes grupeve shqiptare dhe greke në vitet 1943/1944

BALLI KOMBËTAR-EDES
Ka pasur shumë raporte se organizata Balli Kombëtar ka mbajtur kontakte me forcat e Zervës, me siguri përmes kuislingut shqiptar, doktor Nuro Dinos. Do të mbahet mend që Balli Kombëtar ka qenë i lidhur ngushtë me qeverinë kukull gjatë asaj kohe.
QEVERITË KUKULLA SHQIPTARE DHE GREKE
Gjatë muajit maj 1944, Fronti Nacional Çlirimtar siguroi disa dokumente në zonën e Korçës, që besohet se ishin autentike, të cilat nën sekret të plotë kishin si qëllim nga qeveria e Tiranës dhe parti të tjera shqiptare, të lidhnin një pakt ushtarak dhe politik me qeverinë greke të Xhon Rallisit. Kopjet e këtyre dokumenteve janë në fund të këtij raporti. Në prill 1944, Ragip Frashri, djali i kreut të Regjencës, shkoi në Stamboll, me qëllimin e mbajtjeve të bisedave jo zyrtare me anëtarë të qeverisë turke në lidhje me çështjen se çfarë ndihme mund t’i jepnin më vonë Shqipërisë. Ishte e qartë se qeveria e Tiranës po tentonte të formonte një bllok me Greqinë dhe Turqinë për të mënjanuar mundësinë e krijimit të një federate pan sllave në Ballkan.

Është e mundur që Byroja Gjermane për Marrëdhënie Kulturore në Ballkan të ketë qenë sponsori i kësaj skeme. FNÇ- EAM/ELAS Shumica e informacionit të dhënë në këtë raport vjen nga të pyetur shqiptarë dhe grekë, të cilët kaluan Adriatikun për në Itali gjatë vitit 1944. Shumica e oficerëve aleatë të ndërlidhjes në Shqipëri nuk kanë raportuar asnjë kontakt të afërt. Një marrëveshje mes FNÇ-së dhe EAM-it (Lëvizja komuniste greke) mendohet që është firmosur nga viti 1943, përmes të cilës më vonë hoqën dorë nga pretendimet kombëtare mbi Epirin e Veriut. Çështja e Epirit të Veriut u shpall si çështje që “duhet t’u lihet vëllezërve shqiptarë” dhe se “popullsia greke në Shqipëri duhet të heqë dorë nga shpresa për një ribashkim me mëmëdheun dhe të bëhet pjesë e dëshirës për miqësi të mirë mes dy popujve”. Data e kësaj marrëveshje varion midis datave të dhëna në korrik ose shtator 1943. Oficerët grekë të EAM të atashuar pranë FNÇ-së janë raportuar të kenë qenë Alexis Janaris, Angelos Doupis, Alias Dhimitriu (përfaqësues ushtarak) dhe Kristoferos Prinos.

Një marrëveshje ushtarake mes FNÇ-së dhe ELAS-it është raportuar se është bërë gjatë muajit dhjetor 1943, me rastin kur ndihmat e aleatëve për ELAS-it u ndërprenë. Gjatë këtij muaji, u raportua se ELAS-i ka marrë përforcime me armë dhe municione nga Shqipëria. Kjo u rrëzua poshtë nga një oficer aleat i atashuar pranë FNÇ, i cili raportoi më vonë se në fakt ato ishin ekstremist kritike për sa i përket inaktivitetit të ELAS ndaj gjermanëve. Një takim i mëvonshëm midis FNÇ dhe ELAS u raportua se u mbajt në Nepravishtë, gjatë muajit mars 1944, dhe oficeri ynë ka qenë afër në zonën e Delvinës. Pavarësisht rezultatit të këtij takimit, u kërkua nga FNÇ-ja që përfaqësuesit e EAM/ELAS-it të largoheshin nga Shqipëria dhe marrëdhëniet mes anëtarëve grekë të EAM dhe minoritetit grek nuk ishin të kënaqshme. Në shtator të vitit 1944, misioni aleat i oficerëve të ndërlidhjes në Shqipëri raportoi se dy oficerë të EAM-it iu bashkuan FNÇ në fund të atij muaji. Në këtë kohë, organizata e të rinjve të EAM (EPON) u raportua se kishin hedhur postera në Korfuz, ku përveç të tjerave thoshin se kërkonin të kishin një plebishit për të vendosur nëse Epiri i Veriut dëshironte apo jo të kthehej nën Greqinë.

Dokumenti Arkiva Camet1

KRIZA NË MARS ’44
Një ankesë iu bë Zervas nga ish-forcat e PAO (Forcat ushtarake për mbrojtjen e Epirit të Veriut), por dhe nga të tjerë ishte se ata ishin sulmuar nga forcat komuniste maqedonase. Në fakt, këto forca të PAO-s kishin bashkëpunuar me gjermanët kundër forcave të ELAS dhe dukej se ata po inkurajonin dhe mbështeteshin nga politika gjermane për të inkurajuar Zervën që të sulmonte komunistët. Ky akt persekucioni nga maqedonasit u bë konfuz me vonë me një raport se turko-shqiptarët (minoriteti shqiptar në Greqi) kishte sulmuar grupet nacionaliste greke. Incidente të tilla ndodhën pasi gjermanët po përdorin shqiptarë të tillë si agjentë siç ishte Ismail Hakiu, që të rekrutonte grupe të armatosura nga minoriteti shqiptar për t’i përdorur kur duhej.

Në këtë konfuzion mes këtyre dy fakteve, u përhap fjalë që shqiptarë të shumtë kaluan kufirin për të ardhur në Greqi. Më 30 mars, BÇ tentoi të hedhë vaj në këto ujëra të trazuara dhe shpërndau flakë, duke bërë që një korrespondencë e madhe nga përfaqësuesit e shqiptarëve dhe grekëve të shpërndahet në shtypin botëror. Oficerët tanë britanikë në Shqipëri u konsultuan dhe raportuan se asnjë forcë shqiptare nuk kaloi kurrë kufirin me Greqinë. Qeveria shqiptare e mohoi këtë agresion me radio dhe shtyp dhe propaganda e tyre ishte e përqendruar prej muajsh vetëm te Greqia.

PËRDORIMI I MINORITETIT SHQIPTAR NË GREQI.
Që nga koha e pushtimit italian të Greqisë, grekët kanë qenë nervozë nga përpjekja e një pjesë e agjentëve shqiptarë për të penetruar në veriun e Greqisë (marrë nga libri i bardhë i grek për këtë periudhë). Një artikull në shtypin gjerman pranonte se po përdorej minoriteti shqiptar në Greqi dhe midis 2 deri në 3 mijë e këtyre shqiptarëve ishin armatosur në territoret e Igumenicës, Janinës, Paramithisë dhe Margaritit.

PERSEKUTIMET NË HIMARË NË PRILL DHE MAJ 1944
Gjatë këtyre dy muajve, gjermanët u asistuan nga Balli Kombëtar me detyrën e evakuimit të fshatrave bregdetare në zonën e Vlorës dhe shumë prej banorëve u rekrutuan me dhunë. Kërcënime dhe reprezalje u përdorën për çdo mosbindje. Në të njëjtën kohë, gjermanët shkatërruan disa fshatra greke në këtë zonë, si ndëshkim për përfshirjen në luftën kundër tyre, të njëjtën gjë siç bënë me fshatrat “greke” në zonën e Gjirokastrës më herët gjatë vitit. Refugjatët nga Himara lëvizën për më në jug drejt kufirit grek dhe historitë e mizorive shqiptare ndaj minoritetit grek filluan të përhapen. Letrat nga grekët në Shqipëri dhe nga jashtë bote e ekzagjeruan vuajtjen e tyre dhe shtypi grek vazhdoi të shpallë se shqiptarët nën udhëheqjen komuniste ishin të gatshëm të digjnin Epirin e Veriut.

QËNDRIMET BRITANIKE
Dy deklarata të bëra nga politikanët britanikë në lidhje me Shqipërinë dhe Greqinë duhet të merren në konsideratë. Së pari, dënimi që kryeministri Çurçill i ka bërë EAM/ ELAS dhe së dyti deklaratën në Parlament të z.Parker, më 25 maj, i cili mbështeti pretendimet greke në Shqipërinë e jugut. FNÇ e mori të mirëqenë edhe për veten e saj deklaratën e fundit, duke e pranuar atë si politikën e Britanisë ndaj Shqipërisë. Prania e disa prej oficerëve tanë me majorin Abaz Kupi dhe me nacionalistë të tjerë konfirmonte më shumë për FNÇ të kishte këtë besim. Në të njëjtën kohë, ata mësuan se qeveria e Tiranës tentoi një pakt me Greqinë ku komprometohej vendi me elementë të caktuar grekë. Edhe në këtë rast, me siguri FNÇ mendoi se ishte e sponsorizuar nga Britanikët.

“PERSEKUTIMET” E ZERVAS NË KORRIK 1944
Ashtu siç i përmend më sipër, minoriteti shqiptar në Greqi u armatos nga gjermanët dhe u inkurajua që të sulmojë opozitën greke. Balli Kombëtar, që u përdor po nga gjermanët, pati disa kontakte me këto forca, ndërkohë që një pjesë e këtij minoriteti u bashkua me forcat e ELAS. Në fund të majit 1944, trupat e Zervës sulmuan dhe morën Pargën si dhe pushtuan Paramithinë, më 27 Qershor. Kjo kërcënoi të gjithë zonën e minoritetit shqiptar nga perëndimi në Margarit, në veri deri në det, dhe nga Veriu në rrugën Janinë-Igumenicë. Një togë gjermane bëri një kundërsulm në bashkëpunim me minoritetin shqiptar, por ky kundërsulm u zmbraps duke përshkallëzuar një persekutim në shkallë të madhe ndaj minoritetit shqiptar, të cilët u tërhoqën me familjet e tyre në veri të lumit Kalvakiotikos. Në gusht, nevoja për të forcuar linjën në bregdet dhe për të siguruar furnizime për forcat e veta, bëri që Zerva të pastrojë zona të tjera duke përfshirë edhe fshatra shqiptare në zonën pranë Filatit. Kjo rezultoi në një evakuim të mëtejshëm të minoritetit shqiptar.

Një numër i konsiderueshëm filluan të kalojnë kufirin për në Shqipëri. Së fundmi, gjatë tërheqjes gjermane dhe me urdhër të gjermanit Scobie, Zerva shkoi në veri deri në afërsi të kufirit shqiptar për të prerë tërheqjen gjermane nga Korfuzi. Po kështu, minoriteti shqiptar u përzu drejt Shqipërisë. Kjo lëvizje provokoi rëndë qeverinë shqiptare, e cila ndërmori një fushatë në gusht dhe në shtator në radio dhe në gazetë. Kjo qeveri e mbështetur nga gjermanët që ishte në stadet e fundit të kolapsit, edhe në këtë rast e ekzagjeroi duke ngritur kombin për të qenë në gatishmëri të një pushtimi grek. Kjo qeveri deklaroi se forcat greke kishin penetruar deri në Himarë dhe apeloi për ndërhyrje të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kundër masakrimit të më se 250 shqiptarëve dhe persekutimit të më se 20 mijë të tjerëve. Por, padyshim që një persekutim në një shkallë më të madhe u bë nga Zerva.

REFUGJATËT E MINORITETIT SHQIPTAR NË SHQIPËRI
Gjatë periudhës korrik-nëntor 1944, u duk që i gjithë minoriteti shqiptar mysliman në Greqi kaloi për në Shqipëri dhe u përfol për një shifër prej rreth 18 mijë vetash. Me asistencën e FNÇ, ky komunitet formoi një komitet antifashist, i drejtuar nga Musa Demi, dhe u krijuan 3 batalione ushtarake me anëtarët e këtij minoriteti. Thuhej se persekucioni në Çamëri nuk kurseu 300 gra dhe fëmijë, rreth 3 mijë shtëpi të djegura, e bashkë me to pasuri në të mbjella dhe gjë e gjallë. Por këto shifra nuk u bënë publike nga FNÇ-ja deri në muajin dhjetor 1944, ndoshta për shkak të tranzicionit të rënies së qeverisë kuislinge dhe ardhjes së qeverisë së FNC-së në pushtet ose me qëllimin e krijimi të një incidenti që të përfitohej politikisht. Në dhjetor, që përkoi edhe me protestat në Greqi, FNÇ bëri një publicitet të gjerë të çështjes me kërkesat e komitetit të minoritetit të Çamëve dhe iu adresua qeverisë greke, shtabit të aleatëve në Mesdhe, qeverive aleate britanike, amerikane dhe sovjetike, komitetit qendror të EAM, guvernatorit të Epirit, komitetit pan-epiriot të EAm, komitetit të EAM në Filat etj.

Ata kërkuan: Kthimin e menjëhershëm në shtëpitë të tyre të çamëve dhe garanci për vendosjen në shtëpitë e tyre, të investigoheshin krimet e bëra, të jepeshin ushqimet dhe të gjitha mjetet e nevojshme për popullsisë, heqjen e ushtarëve të EDES nga zonat e Çamërisë, të respektoheshin të drejtat e tyre në bazë të kartës së atlantikut dhe lirimin e më se 300 grave e fëmijëve në kampet e Filatit dhe Paramithisë. FNÇ/ELAS NË DHJETOR 1944 Pati efekt deklarata e Çurçillit dhe z.Parker, në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë dhe kërkesat e saj për Epirin e veriut. Marrëdhëniet e Britanisë së Madhe dhe qeverisë së Papandreut duhet t’u ishin bërë të qarta më herët liderëve të FNÇ-së. Ndërkaq, një operacion komandosh britanike që u bë në Sarandë në fund të shtatorit, që përfshinte një koncentrim sulmesh të forcave tona bashkë me ato të Zervas, u pa nga ana e FNÇ si pjesa e parë e politikës britanike për t’i larguar ata pushteti dhe për t’i dhënë Shqipërinë e Jugut Greqisë “reaksionare”.

Ngjashmërisht edhe lëvizjet e trupave tona speciale në Shqipëri, gjatë kohës së tërheqjes së gjermanëve, shërbeu për të bindur më shumë FNÇ-në në pretendimet e tyre. Madje edhe arratisja e një numri të madh të njerëzve të krahut të djathtë, politikanëve dhe liderëve të Ballit Kombëtar për në Itali, u mendua nga FNÇ si pjesë e një plani britanik. Si pasojë e këtyre, gjatë periudhës shtator-dhjetor, pati një rritje të mosbesimit dhe dyshime iu shfaqën misioneve aleate, duke u vënë kufizime në lëvizje, si dhe pati një propagandë të madhe antibritanike në lëvizje. Deklaratat nga ministri grek i propagandës, Kartalis, dhe nga vetë Papandreu në lidhje me shqetësimet për Epirin e Veriut, mori vëmendje botërore dhe i hodhi më shumë benzinë zjarrit. Gjenerali Enver Hoxha deklaroi se ai do të luftojë çdo pushtim të jugut të Shqipërisë dhe brigadat partizane u lëvizën për në jugun e Shqipërisë.

Herët në dhjetor 1944, dy oficerë të EAM-it erdhën në Korçë nga Athina dhe u takuan me Enver Hoxhën në Tiranë dhe më pas u kthyen në Greqi nga Gjirokastra. Në dhjetor, 10 kamionë me trupa të ELAS u lejuan që të përdorin rrugën që kalon nga Florina për në Korçë dhe hynë në veri të zonës së Janinës. Më 24 dhjetor u raportua se lajmëtarët e EAM-it vinin çdo ditë në zonën e Gjirokastrës me makinë nga kufiri. Propaganda e FNÇ gjatë këtij muaji theksonte miqësinë me EAM, duke bërë akuza si “luftë kundër fashizmit” “AntiPapandreu”, “fashizmi britanik” etj. Është e mundur të thuhet se bashkëpunimi i mëtejshëm me ELAS ishte i lidhur me ndjenjat nacionaliste ose çfarë ndodhi gjatë muajit dhjetor ishte planifikuar me kujdes. Është korrekt fakti që vetëm njësi ushtarake nga minoriteti shqiptar mbështeti ELAS-in në sulmin e tyre mbi Janinë, më 20 dhjetor, por asnjë forcë e FNÇ nuk e kaloi kufirin.
SITUATA AKTUALE 1945, SHQIPTARËT NË GREQI

Partizanët shqiptarë kanë shfaqur mospërfillje dhe mospëlqim për refugjatët e minoritetit shqiptar në Greqi dhe ata konsideroheshin të degjeneruar dhe të korruptuar. Vetë komiteti i minoritetit shqiptar do të deklaronte se ata ishin pjesë integrale e popullit grek.

SITUATA AKTUALE 1945, GREKËT NË SHQIPËRI
Tendenca të forta irredentiste janë raportuar në zonat e Himarës, Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Mitropoliti ortodoks grek në Gjirokastër u raportua se në nëntor u takua me Papandreun për të raportuar persekutimet ndaj minoritet grek në Shqipëri. Një hetim u bë për këto pretendime që u çuan nga qeveria greke në Kajro dhe u zbulua se asnjë persekutim nuk kishte ndodhur dhe se në fakt trajtimi i minoritetit grek nga FNÇ ishte më i kujdesshëm dhe i respektueshëm se sa ata i bënin minoriteti shqiptar çam që erdhën nga Greqia. Ndërsa kundërshtonte idenë e një plebishiti apo dhe shkëmbim popullsish, gjenerali Hoxha deklaroi se anëtarët e minoritetit grek në Shqipëri janë të lirë të emigrojnë në Greqi. Është propozuar edhe alternativë për një formë gjysmë autonomie.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close