Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, bën të ditur se, “10 milionë USD ka financuar qeveria nga buxheti i shtetit, për skemën e naftës falas për bujqësinë, në mbështetje të fermerëve të regjistruar me NIPT”. 18 500 fermerë aplikuan në skemën e naftës për bujqësinë që u çel nga 15 janari deri në 30 mars, ndërsa fluksi i atyre që duan të marrin një NIPT dhe të përfitojnë nga kjo mbështetje, është në rritje. Aktualisht po vijon procensi i kontroll-verifikimit të aplikantit dhe shpërndarja e kartave për fermerët në të gjithë vendin, me sasinë e naftës falas që përfitojnë për punimet që do të kryejnë në tokën e tyre bujqësore.
Skema kombëtare e naftës falas për bujqësinë, është një risi tjetër e politikave mbështetëse të qeverisë ndaj fermerit me impakt në uljen e kostove të prodhimit në bujqësi dhe rritjen e të ardhurave për familjet rurale. Ajo është në vitin e parë të aplikimit dhe tregoi një interes të shtuar nga fermerët për të përfituar. Çmimi i naftës që e marrin sot fermerët për aktivitet bujqësor ulet në 69.6 lekë/litër nga 150 lekë/litër që ishte më parë.