Vëllai i Talos Çelës, të shumëkërkuarit nga policia, ka mbetur i vrarë në një atentat me armë zjarri mëngjesin e kësaj të enjteje. Viktima është Bujar Çela i datëlindjes 19 Mars 1958. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:45 në fshatin Bradashesh të Elbasanit përpara një lokali. 62-vjeçari Bujar Çela punonte si taksist pa licencë.
Nga informacionet paraprake, bëhet me dije se Çela u qëllua me armë sapo zbriti nga makina për t’u ulur në një lokal. Dyshohet se ai ishte ndjekur nga atentatorët, të cilët besohet të kenë qenë të paktën 2 persona. GJENDET MAKINA E AUTORËVE TË DYSHUAR TË VRASJES SË BUJAR ÇELËS
Pas atentatit ndaj 62-vjeçarit Bujar Çela, autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Disa minuta më vonë, në fshatin Murrash u gjet e djegur një makinë që dyshohet se u përket atentatorëve. Makina është tip Renault me targa AA 876 DC.
BUJAR ÇELA ËSHTË VËLLAI I TALO ÇELËS, TË SHUMËKËRKUARIT NGA POLICIA
Bujar Çela është vëllai i Talos Çelës, njeriut më të kërkuar për momentin nga policia, për kapjen e të cilit është vendosur edhe një shpërblim prej 10 milionë Lekë të vjetra. Ai është në kërkim si një nga anëtarët e bandës së supergrabitjeve të parave në aeroportin e Rinasit, si dhe i akuzuar gjithashtu për disa vrasje.