Avokati i Emiljano Shullazit Vladimir Meçi dhe avokatët e tjerë të grupit nuk janë lejuar të takojnë klientët e tyre në regjimin 41 Bis. Për Meçin kjo është e papranueshme dhe joligjore pasi sipas tij, çdo personi duhet ti jepet e drejta e mbrojtjes. Siç e tha dhe në një deklaratë për mediat ditën e shtunë, Meçi u shpreh se izolimi i Shullazit, bëhen për të hedhur zhurmë në opinionin publik, pasi ndaj tij nuk ka ende një vendim të formës së prerë nga ana e Gjykatave. Shullazi ndodhet në bùrgun 313, ku po i nënshtrohet regjimit 41 bis, në qeli të përshtatura posaçërisht për këtë lloj izolimi.
“Është një veprim haptazi i kundraligjshëm, abuziv, është një hap për të mbuluar punën e dobët të SPAK. Është duke u cënuar prezumimi i pafajësisë, sa kohë që Emiljano Shullazi, nuk është vërtetuar me vendim të formës së prerë, që ka krijuar apo është pjesëmarrës në një organizatë kriminale. Në kushtet kur Ministri i Drejtësisë konstaton se ka pasur kontakte Emiljano Shullazi me grupe dhe organizata kriminale, ne nuk dimë që të ketë një hetim penal të lidhur me këtë”, u shpreh Meçi.