Categories Kulture, Lajme

Kryebashkiaku Leli: Produkti turistik “Made in Vlora”, realitet i njohur në dhjetëra vende të huaja (Foto)

/ATSH Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, është optimist për arritjet e deritanishme në përmbushjen e objektivave për zhvillimin e turizmit. Investimet e shumta, të realizuara gjatë viteve të fundit dhe ato që janë në proces, apo pritet të nisin, e kanë transformuar profilin turistik të këtij qyteti, çka përbën edhe një garanci për zhvillimin e qëndrueshëm.

Në një intervistë për ATSH-në, ai ndalet tek prioritetet e bashkisë, tek vazhdimi i projektit të “Lungomares”, ndërkohë që shprehet se produkti turistik “Made in Vlora”, tashmë është realitet dhe njihet në mjaft vende. “Ky vit, ishte i jashtëzakonshëm dhe i pakrahasueshëm me periudhat paraardhëse, për shkak të rritjes së numrit të turistëve, veçanërisht atyre të huaj, me të paktën 12% krahasuar me 2018”, thekson Leli.

Cilat janë projektet kryesore dhe investimet publike në Vlorë?

Investimet, projektet e realizuara në Vlorë gjatë këtyre viteve, apo që janë në proces, përbëjnë një kompleks ndërhyrjeje në të gjithë dimensionet e qytetit, në funksion të të tashmes dhe të perspektivës.

Mjafton të shohim sot Vlorën në një sens krahasimor, me pak vite më parë, për të evidentuar atë transformim që ka ndodhur në qytet dhe në të gjithë territorin e bashkisë, në një hapësirë kohore relativisht të shkurtër dhe që shkon në kahjen e filozofisë sonë për t’i garantuar zhvillimit kolonat e duhura. Një shprehje filozofike thotë: “Besimi, në të vërtetë nuk nis nga mrekullia, por mrekullia nga besimi”. Me këtë besim kemi punuar në këto vite çdo ditë, çdo moment, për të ofruar atë që ka munguar tek qytetarët, optimizmin.
Optimizmi është ai element që lëvizi gjërat, që bën të pamundurën të mundur. Ne në këto pak vite mendoj se e kemi arritur këtë dhe jemi në rrugë të mbarë. Slogani ynë, “Vlora, qyteti që projekton të ardhmen”, tashmë është bërë i prekshëm. Ai shihet në çdo rrugë, në çdo hapësirë në qytet, në çdo mendje të qytetarëve. Vlora me profilin turistik tashmë të transformuar është argumenti se ne jemi në rrjedhën e asaj që premtuam, pjesë e vizionit të mazhorancës qeverisëse dhe e kryeministrit, Edi Rama, që ka ofruar mbështetjen e duhur.

“Lungomare”, në fazën e parë të saj, bulevardi Vlorë-Skelë, tashmë i përfunduar, segmenti që lidh hyrjen e qytetit me “Transballkaniken”, sheshet e ridimensionuara tek ish Akademia e Marinës dhe “Tri Racat”, projekti i impiantit të Ujërave të Zeza, vazhdimi në fazën pasardhëse të tij deri në “zero” ndotje, rikonstruksioni i shkollave “Ali Demi”, “Halim Xhelo”, e mjaft të tjera në qytet dhe territorin e bashkisë, rikonstruksioni i godinës së bashkisë dhe ndërtimi i disa segmenteve rrugore në përputhje me standardet bashkëkohore, e kanë futur Vlorën në në një proces transformimi dhe modernizimi.
Rruga e re që lidh hyrjen e qytetit me ish Zonën Industriale, segmenti që përshkon bregdetin në drejtim të Plazhit të Vjetër, dhjetëra segmente të tjera që përshkojnë hapësirat e brendshme të banimit, si edhe ato që lidhin “Lungomaren”, me zonat në thellësi, apo të tjera në njësitë administrative, janë disa nga investimet që na bëjnë krenarë për çka kemi arritur, apo që presim t’i konkretizojmë në vijimësi.

Cilat janë prioritetet e bashkisë së Vlorës në vijimësi?

Në ditët e ardhshme do të përurojmë projektin e rijetëzimit të Vlorës së Vjetër, një investim i përbashkët mes Qeverisë Shqiptare dhe Fondit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit(AADF).

Ky projekt, që përbën një investim të shkëlqyer, do t’i kthejë shkëlqimin kësaj hapësire të lënë tërësisht në errësirë dhe harresë. Përmes tij, synojmë të krijojmë një pol të ri për zhvillimin turistik të Vlorës, duke bërë pjesë efektive, vlerat e traditës sonë shumëdimensionale.

Vlora e Vjetër, përmes kësaj ndërhyrjeje, do të jetë një hapësirë ku e shkuara dhe e tashmja, do të jenë pjesë e një hallke. Duke ofruar traditën tonë, në një dritë të re, në një këndvështrim të ri, ne do u tregojmë vizitorëve vendas e turistëve të huaj se, të shkuarën dimë ta shfrytëzojmë në funksion të perspektivës. Përmes tij ne do të krijojmë një ekuilibër të ri të resurseve tona. Sepse, aty ka vlera të jashtëzakonshme që kanë dalë tashmë në dritë, që janë shkundur nga pluhuri i braktisjes dhe papërgjegjshmërisë shumëvjeçare. Aty ka mundësi të pashfrytëzuara, të lëna pasdore për dekada të tëra.

“Vlora e Vjetër” e qytetit tonë të ri, përbën forcën e argumentit të vizionit tonë zhvillues, përbën një shembull të prioriteteve tona, ku përfshihen shinat kryesore që mbështesin zhvillimin.  Një qytet me strukturë arsimore moderne, me institucione kulturore aktive, me infrastrukturë rrugore e mjedise publike të rikonstruktuara, është si një zinxhir vlerash, ku çdo hallkë ka peshën dhe rolin e vet.
Ne, po punojmë fort dhe me intensitet, duke shfrytëzuar çdo hapësirë, çdo mundësi, duke vlerësuar të gjitha resurset e territorit të Bashkisë, pavarësisht nga largësia.

A mund të na zbuloni detaje për fazën e dytë të ndërtimit të “Lungomares”?

Të gjitha projektet e realizuara në Vlorë, gjatë këtyre viteve kanë qenë të rëndësishme. Pra, çdokush prej tyre, ka patur dhe ka impakt të veçantë në zhvillimin e qytetit, sot dhe në të ardhmen. Por, ndërtimi i “Lungomares” dhe vazhdimi i saj në fazën e dytë, është një nga prioritetet më të spikatura. Projekti që sapo kemi nisur, nga hapësira sportive e “Lungomares”, ku mbaron faza e parë e saj, në drejtim të Tunelit të Ujit të Ftohtë dhe vazhdimi i mëtejshëm në drejtim të bregdetit të Radhimës, në 3 kilometrat e para të saj, përbën vazhdimin e ndryshimit dhe transformimit rrënjësor të profilit turistik të Vlorës.

Për këtë, dëshmon vetë projekti, i cili është modern dhe synon të shndërrojë këtë pjesë të Vlorës në një hapësirë në shërbim të qytetarëve, në shërbim të standardeve më të larta të turizmit, në shërbim të perspektivës së zhvillimit të tij. Mjafton të përmend një detaj, për të vlerësuar dimensionet e këtij projekti, që lidhet me një nga pikat më atraktive të tij, në atë që njihet me emërtimin e vjetër, “Plazhi i kryetarit”, apo ish Kompleksi “Kristal” dhe ku është parashikuar të ndërtohet një pishinë olimpike. Kjo do të jetë një pishinë me ujë deti, me një seksion për fëmijët, do të ketë një hapësirë plazhi të dedikuar për qytetarët.

Dua të theksoj se, me bashkëpunimin e specialistëve të Zyrës së Urbanistikës në bashki, me insistimin tim dhe me mbështetjen e Kryeministrit, Edi Rama, ne bëmë një shtesë në projektin e kësaj pjese të “Lungomares”, duke përfshirë në të, ndërtimin e një parkimi me kapacitet për 160 automjete. Për të realizuar këtë element, që del jashtë projektit fillestar, do të na duhet të ndryshojmë destinacionin e një pjese të fondeve publike të Bashkisë në buxhetin e dy viteve të ardhshme, çka u mundësua edhe me mbështetjen e këshillit bashkiak.

Përmes këtij elementi, ne parashikojmë të zgjidhim çështjen e parkimeve në këtë pjesë të bregdetit të Vlorës, ku hapësirat për këtë qëllim kanë qenë të kufizuara. Në fazë të dytë të “Lungomares”, ka mjaft elementë që përbëjnë vazhdimin e fazës së parë të saj, mes të cilave, korsia e dedikuar e biçikletave, e cila përmes zgjidhjeve të caktuara teknike, siç janë “by-pass”-et, do të vazhdojë deri në Orikum.

Po ashtu, një moment të veçantë në këtë projekt, përbën zona e burimit në tunelin e Ujit të Ftohtë, ku është parashikuar të realizohet një sistem urash, që do të lidhin edhe shkëmbenjtë ujorë ekzistues, për të siguruar edhe lidhjen me plazhin që vjen më pas.
E gjithë kjo, krijon një mundësi për të shfrytëzuar në një mënyrë të veçantë këtë segment të “Lungomares”, për këmbësorët, ndërkohë që garanton edhe zgjidhjen e propozuar nga ana ime për studion projektuese, atë të rivitalizimit të burimeve të Ujit të Ftohtë, që përbëjnë edhe një nga simbolikat historike për qytetarët vlonjatë, por jo vetëm.
Çdo pjesë, çdo segment i i vazhdimit të këtij projekti, është një sfidë më vete. Është një zgjidhje tërheqëse arkitekturore, në përputhje me karakteristikat natyrore të kësaj pjese të bregdetit vlonjat. Kështu, vazhdimi i këtij investimi, do të mundësohet përmes shtrirjes së tij në një pjesë të hapësirës së rezidencave qeveritare, duke shembur murin rrethues për zgjerimin e rrugës, ndërtimin e korsisë së biçikletave dhe të trotuareve. Këtu do të përdoren edhe elementë të tjerë, që do ta shndërrojnë këtë segment të “Lungomares” në një hapësirë panoramike, ndërkohë që, po diskutohet mundësia e vënies në shërbim të qytetarëve, të plazhit në zonën e rezidencës qeveritare. Për t’i dhënë një simbol kujtesës qytetare vlonjate, i kam sugjeruar projektuesit që, në vendin e emërtuar “Kalaja”, të parashikohet vendosja e një trampoline, e cila edhe funksionalisht, evokon temperamentin vlonjat në raport me detin.

Një rrugë e dedikuar vetëm për këmbësorët, do të përshkojë të gjithë pjesën e bregdetit gjatë gjithë gjatësisë, deri në Orikum, çka garanton standardin e nevojshëm për ta vënë “Lungomaren” edhe në fazën e dytë të saj, në shërbim tërësor të qytetarëve, të pushuesve vendas e të huaj. Gjithçka në këtë segment do të jetë vazhdim pa pengesa natyrore, apo artificiale, të krijuara nga njerëzit për shkaqe dhe arsye të ndryshme.
Për realizimin e kësaj faze janë siguruar fondet e nevojshme për përfundimin e saj në një afat optimal.

Çfarë politikash po ndjek bashkia për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit?

Në fakt, mjafton të rikthehem pak në kohë, në periudhën intensive të sezonit, për të dhënë një përgjigje të plotë për këtë pyetje. E them pa hezitim që, ka kaluar tashmë koha, kur turizmi në Vlorë identifikohej vetëm me plazhet. Tashmë produkti ynë turistik “Made in Vlora”, është bërë i njohur në vende të ndryshme dhe reflektohet në ata mijëra turistë të huaj që vijnë këtu, ashtu siç u reflektua në rekordin e fluksit të tyre gjatë këtij sezoni veror. Vlora ofron një paketë të plotë, e cila përfshin dhe shtrihet njëkohësisht në të gjitha dimensionet turistike. Sot, Vlora ofron turizmin kulturor, atë historik, arkeologjik, natyror, të aventurës. Në Vlorë organizohen aktivitete të ndryshme të fluturimeve sportive, një prej të cilëve i dimensioneve ndërkombëtare, “Albania Open”, me pjesëmarrjen e rregullt dhe periodike të më shumë se 150 sportistëve nga vende të ndryshme të botës. Pika të tilla, si Kanina, janë bërë elementë atraktivë me vlera të jashtëzakonshme në këtë drejtim. Në Vlorë ofrohet sporti i zhytjes.

Ishulli i Sazanit është shndërruar në një destinacion të vërtetë dhe plot vlera në fushën e turizmit. Mjete lundruese të përmasave dhe llojeve të ndryshme, transportonin çdo ditë gjatë sezonit veror, qindra pushues vendas e turistë të huaj, duke ofruar paketa të plota për të shijuar bukuritë natyrore dhe ujërat e gjirit detar të Vlorës në pika të ndryshme, të paaksesueshme deri pak vite më parë. Por edhe për të vizituar dhe për të eksploruar historinë e ishullit të Sazanit, një mjedis dikur i hermetizuar, befasues me të shkuarën dhe të tashmen e tij.

Vlora ka një natyrë të mrekullueshme. Ka malin, ka hapësira pa fund, ku turizmi dhe agroturizmi, janë shndërruar tashmë në mundësi dhe në realitete të këndshme, me një perspektivë optimiste. Dhe, të vijmë dalëngadalë tek kultura, tek kultura e mirëfilltë, tek ajo atmosferë e jashtëzakonshme që shoqëron çdo vit, duke thyer dhe tejkaluar çdo pritshmëri tonën dhe, duke kapërcyer çdo limit kohor në atë që ne themi, periudha e sezonit veror.

Me dhjetëra aktivitete, shoqëruan javët dhe muajt e sezonit veror, duke krijuar një atmosferë tërësisht festive në qytet dhe në të gjithë territorin e Bashkisë. Me dhjetëra këngëtarë e grupe të ndryshme muzikore, u bënë pjesë e korpusit të jashtëzakonshëm të profilit kulturor veror në Vlorë, ku përfshihet edhe Festivali Ndërkombëtar Folklorik “Aulona Interfolk”. Përmes parimit, se, çdo pjesë i shërben të tërës, ne kemi shndërruar në vlera të vërteta hapësira deri dje të fjetura në territorin e bashkisë dhe kemi zgjuar nga gjumi elementë të traditës, që nuk shfaqeshin prej dekadash.

Vlora ka objekte muzeale mjaft interesante për syrin dhe vëmendjen e pushuesve vendas dhe turistëve të huaj, ka objekte të fushës, të paeksploruara prej vitesh. Përveç Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe Etnografik, Manastirit dhe Ishullit të Zvërnecit, Kisha e Marmiroit, Qyteza Antike e Orikut, Kalaja e Kaninës, Tragjasit, ka mjaft pika të tjera që kanë filluar të shndërrohen në elementë atraktivë. Fshati i Vjetër i Tragjasit, për të cilin kemi zhvilluar një aktivitet të veçantë, Vlora e Vjetër, etj etj, janë disa prej tyre që tashmë janë futur në axhendën e zhvillimit intensiv në funksion të turizmit. Mjaftojnë këto, për të saktësuar se, Vlora turistike, tashmë është Vlora e një standardi konkurrues në rajon.

Është modeli që ne kemi krijuar, është produkti turistik “Made in Vlora”, një produkt turistik shumëllojesh dhe cilësor, që do të thotë edhe më shumë turistë. Me synimin që, sezoni të shtrihet tej limiteve kohorë tradicionalë dhe Vlora të jetë efektivisht një qytet me turizëm gjithë vjetor, ne kemi punuar shumë për t’i bërë funksionale të gjitha resurset që kemi. Dhe, optimalisht e kemi arritur këtë gjë.

Ka një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve akomoduese hoteliere gjatë viteve të fundit me të paktën 25% të numrit të përgjithshëm të shtretërve, me ndërtimin e një numri hotelesh përgjatë bregdetit. Ndërtimi i shëtitores buzë detit, ose “Lungomares”, i ka dhënë një nxitje të fortë investimeve në këtë drejtim, me ndërtimin e hoteleve të reja, të standardeve bashkëkohore. Oferta akomoduese, është shoqëruar edhe me dimensionin cilësor.
Po bëjmë gjithçka në këtë drejtim, për të përballuar fluksin në rritje të turistëve. Ky vit, ishte i jashtëzakonshëm dhe i pakrahasueshëm me periudhat paraardhëse, për shkak të rritjes së numrit të turistëve, veçanërisht atyre të huaj, me të paktën 12% krahasuar me 2018. Kjo na bën të mendojmë e të punojmë që, të nxisim investimet në këtë fushë, duke i mbështetur investitorët dhe operatorët turistike, me të gjithë kuadrin e nevojshëm dokumentar. Ky vit, na bëri më shumë optimistë për perspektivën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Vodhi një automjet një ditë pasi u lirua nga amnistia, arrestohet autori në Pogradec

Një ditë pasi u lirua nga qelitë e burgut për shkak të aministisë, i dënuari…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Skandali/ “Vdes për p… dhe lekë”, avokati i kërkon favore seksuale klientes, bashkëpunon me ish-burrin e saj

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një avokat, i cili i kërkon favore seksuale…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Mjeku specializant i Spitalit të Traumës, ndahet nga jeta në një moshë të re

Një mjek specializant në Tiranë është ndarë nga jeta në moshë fare të re. Krios…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Rekord absolut shqiptar! Ky është i dënuari që sapo doli nga burgu dje, vodhi një makinë

Në foto është Ardian Isufi pogradecari që ditën e djeshme la qelitë e burgut të…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Plas grushti te Bashkia e Pukës, ndërhyn edhe kryebashkiaku Rrok Dodaj

Një ngjarje e paprecedentë është regjistruar rreth orës 16:30 të një dite më parë  në…

LEXO ME SHUME