Qeveria ka miratuar sot në parim dokumentin e kontratës financiare, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve për Projektin e Ndërtimit të bypass-it të Fieri.
Në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të dokumentit të ndryshimit nr. 1 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve, për projektin e ndërtimit të bypass-it të Fierit.
Bypass-i i Fierit, një ndër nyjet kryesore sa i takon qarkullimit në drejtim të jugut të vendit. Në qershor të këtij viti, është hapur njëri krah i këtij bypass-i, i cili ka shkurtuar në mënyrë të ndjeshme distancën mes Tiranës dhe Vlorës, dhe ka shmangur trafikun e krijuar veçanërisht gjatë sezonit veror në aksin e vjetër që kalon përmes Levanit.
Bypass-i i Fierit, ka një gjatësi prej afro 22 kilometrash, dhe ndërkohë punimet po vijojnë për hapjen edhe të krahut tjetër të këtij bypass-i.