Categories Lajme

Pa shtëpi prej 26 nëntorit dhe të rrënuara, historia e nënave të vetme në Durrës

Alketa Toshi bën çdo ditë dy kilometra rrugë në këmbë për të shkuar nga shtëpia me qira në fshatin Xhafzotaj, në shtëpinë e saj të rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorit në fshatin Arapaj të Durrësit. “Këtu është puna dhe investimi i një jete, por dhe kujtimi i burrit që nuk jeton më prej nëntë vitesh, ndaj dhe vij çdo ditë për të parë pemët, lulet… qaj në oborr, sepse nuk di se si do të shkojë fati i shtëpisë,” tha Alketa për BIRN.Pas humbjes së bashkëshortit nëntë vjet më parë, Alketa po përballet e vetme me rritjen e tre fëmijëve të saj. Por jeta e gruas u vështirësua së tepërmi fillimisht nga tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas nga pandemia.

Pasojat e tërmetit shkatërrimtar kanë mbetur të fiksuara në shtëpinë e saj përdhese, ku muret e ndërtuara me blloqe betoni janë ndarë pjesërish prej soletës. Shtëpia ka dëmtime edhe në brendësi të saj, ndërsa konsiderohet e pabanueshme nga autoritetet. Alketa përfaqëson vetëm një nga 250 familjet me një prind dhe fëmijë jetimë të regjistruara në degën e Durrësit të Shoqatës së Fëmijëve Jetimë. Nënkryetarja e shoqatës, Marjana Biba i tha BIRN se shifra reale e familjeve të kësaj kategorie është më e lartë, ndërkohë që apeloi për ndihmë ekonomike dhe financiare në favor të prindërve të vetëm. Mbijetesa e këtyre familjeve është vështirësuar nga pasojat e tërmetit dhe ato të shkaktuara nga pandemia. “Janë 10 familje, nëna të vetme që tërmeti u ka dëmtuar totalisht shtëpitë,” tha Biba. “Shumë familje të tjera kanë dëme të mëdha në banesa, ndërsa kryefamiljarët kanë humbur edhe punën për shkak të situatës së COVID-19,” shtoi ajo.

Të mbetur pa strehë Gjashtë muaj pas tërmetit, 45 vjeçarja Alketa Toshi ende nuk e ka të qartë se çfarë do të bëhet me banesën e saj. Gruaja mban në duar një akt-ekspertimi që e tremb, sipas së cilës shtëpia mund të bëhet e banueshme pas riparimit. “Më duket se kjo punë do të përfundojë në gjyq, sepse unë do t’i padis ata të bashkisë që pa më sqaruar fare, më thanë firmos dokumentin për gjendjen e shtëpisë. Tani ma kanë nxjerrë për riparime, por jetohet këtu?” pyet ajo, ndërsa tregon dëmet e pësuara në banesë. Një shkëputje mes murit mbajtës të shtëpisë dhe soletës është dëmtimi i dukshëm, ndërkohë që lëkundjet e tjera të post- tërmetit kanë dëmtuar dhe muret brenda shtëpisë. Gruaja trembet se shtëpia nuk mund të riparohet, ose në të kundërt mund të vërë në rrezik atë dhe fëmijët.

“Erdhën pas tërmetit, ata që bën verifikimet e para dhe pastaj askush nuk u duk më. Unë kam kërkuar ekspertizë tjetër, të thelluar, por askush nuk vjen, askush nuk më kthen përgjigje,” thotë Alketa. Përveç problemeve me shtëpinë, Alketa humbi edhe punën në fillim të marsit si pasojë e mbylljes së lokaleve nga pandemia e koronavirusit. Gruaja i tha BIRN se punonte si pastruese në disa subjekte të turizmit, por nuk ka arritur të rikthehet më nga mungesa e transportit publik. “Jetojmë së bashku me fëmijët me vetëm 80 mijë lekë të vjetra në muaj, sepse nuk kam punuar asnjë ditë që nga pandemia. Por të paktën kam marrë lekët e qirasë, se ndryshe nuk di se çfarë do të kisha bërë,”  thotë ajo. Mbyllja prej gati dy muajsh e aktiviteteve, si masë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 vuri në vështirësi shumë familje të tjera si Alketa, ndërkohë që mungesa e transportit publik e bëri të pamundur rifillimin e punës dhe tashmë që jeta publike po rihapet.

“Si mund të shkoj unë në Durrës, ku vetëm taksitë punojnë. Vajtje- ardhje nga Durrësi taksia kërkon 15 mijë lekë, unë aq nuk i marr gjatë gjithë ditës së punës,” thotë ajo, e shqetësuar për të ardhmen. Pa  punë dhe pa ndihmë E papunë për shkak të pandemisë ka mbetur edhe Ikbale Pasho, 35 vjeç, e cila po rrit e vetme prej nëntë vitesh dy djemtë e saj, sot 14 dhe 11 vjeç. Ikbalja banon në fshatin Shkallnur të njësisë administrative Rashbull dhe prej gjashtë vitesh punonte në të zezë si operatore në një call center të Durrësit për të përballur rritjen e fëmijëve. Gruaja ka ngelur e papunë dhe me shumë pikëpyetje për të ardhmen.

“Më duheshin ato lekë dhe preferova që të marr sa më shumë pagë dhe jo sigurime, edhe pse e dija që do të vinte një ditë që do më duheshin, por nevoja më bëri që të kërkoja mos të më paguheshin,”, thotë nëna e re, që s’ka përfituar dot as nga ndihmat qeveritare. Ajo tregon se përveç faktit që kishte punuar në të zezë, ka trashëguar një sipërfaqe toke nga ligji 7501, e cila jo vetëm që nuk i jep të ardhura, por i është bërë barrë dhe pengesë për çdo lloj ndihme tjetër, përfshi këtu dhe ndihmën ekonomike. Familjes i mungon edhe pensioni për fëmijët, pasi edhe bashkëshorti punonte në të zezë. Mungesa e transportit publik është pengesa kryesore që e mban Ikbalen pa të ardhura dhe pa punë.

“Tani është e pamundur. Nuk mund të përballoj asnjë lëvizje nga shtëpia dhe jam në pritje të rinisjes së transportit publik dhe do të pranoja çdo punë, qoftë dhe pastruese vetëm për të siguruar disa të ardhura për fëmijët,” thotë ajo. Ikbalja tregon se çdo muaj duhet të blejë mjekim për djalin e vogël prej 140 mijë lekësh, pasi vuan nga talasemia minore, një lloj sëmundje që duhet mjekuar të paktën deri në moshë madhore, të ardhura të cilat i përballon me mjaft vështirësi.

Mbështetja e vetme për të vjen nga një fondacion fetar islamik, ku gruaja është përfshirë si nënë e dy fëmijëve jetimë. “Fondacioni Islamik më ka ofruar një ndihmë dhe uroj që të vazhdojë sa më gjatë, pasi nuk kam asnjë mundësi për të përballur rritjen e fëmijëve dhe kurimin e djalit,”  thotë 35 vjeçarja. Ikbalja ka bërë gjithçka për t’ia dalë mbanë në jetë, duke u bërë vetë grua dhe vetë burrë në shtëpinë e saj, por gjatë pandemisë  dhe më pas, po përballet me vështirësi tepër të mëdha.

Pandemia bllokon mundësitë për punë Me shpresën se do të gjejë një punë jeton edhe Ada Bezati, 33 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të mitur, e cila jeton e vetme me ta në qytetin e Durrësit, pasi ka humbur bashkëshortin në një aksident 10 vite më parë. Ada jetonte në një banesë me qira para tërmetit të 26 nëntorit, ndaj dhe nuk përfitoi as bonus qiraje për një shtëpi tjetër, pasi dëmtimit të saj. Së bashku me shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti, Ada humbi dhe vendin e punës, në një pastrim kimik, pasi godina u shkatërua dhe pronari ende nuk ka mundur ta rihapë.

Ada Bezati mundi të sigurojë një shtëpi tjetër me qira, të cilën e paguan me mjaft vështirësi dhe është në kërkim të një pune, por nuk e ka të lehtë. “I kam larë rrugët e Durrësit me lot gjatë këtyre viteve. 10 vite më parë unë humba bashkëshortin, por familja e tij humbi dy djemtë, pasi aksidenti ishte i dyfishtë. Ne kemi probleme pronësie dhe unë humba burrin, shtëpinë dhe jam në rrugë të madhe,” thotë ajo.

Falë punës së saj dhe një pensioni modest që merr nga shteti për fëmijët jetimë,  Ada ia dilte jo pa vështirësi që të mbijetonte me dy djemtë e saj, por fillimisht tërmeti dhe më pas pandemia i thelluan hallet dhe problemet. “Mos të kisha ndihmën e familjes time nuk di se si do t’ia kisha dalë,” thotë ajo. Pensioni i fëmijëve është i vogël, tani  marr vetëm 80 mijë lekë, më parë merrja 160 mijë, djalin e madh e kam operuar dhe jam vënë në shumë vështirësi,” ankohet ajo. Ada pret që të rikthehet në qytet shërbimi i autobusëve urbanë dhe të mund të lëvizë për të siguruar një punë. “Po shikoj çdo ditë se çfarë mund të gjej. Pastruese tani në verë mund të gjej, por unë të gjitha lëvizjet, për dokumentet nëpër zyra, për të vizituar djalin, i bëj të gjitha në këmbë. Deri në zonën e plazhit si mund të shkoj?”përfundon ajo./BIRN

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Fier/ Makina përplas këmbësorin, 71-vjeçari në gjendje të rëndë

Një aksident ka ndodhur në rrugën “Jani Bakalli”, në Fier. Një automjet ka përplasur këmbësorin…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Në krye të bandës shqiptarët, dënohen me burg 50 anëtarë të grupit në Selanik

50 persona janë dënuar nga Gjykata e Apelit në Selanik për trafikim të lëndëve narkotike në ambientet e Universitetit…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Goditi me send të fortë një grua pas sherrit për motive të dobëta, e pëson 51-vjeçarja, banuese në Vlorë

Policia e Fierit ka nisur hetim në gjendje të lirë ndaj një 51-vjeçareje, banuese në…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Theu masën “Arrest në shtëpi”, pranga 26-vjeçarit

Arrestohet një 26-vjeçar në Fier, pasi akuzohet se theu masën e “Arrest në shtëpi”. Burime zyrtare…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Zhduket 32-vjeçari në Tiranë

Një 32-vjeçar është zhdukur në Tiranë. Ka qenë babai i tij, 64 vjeç ai që…

LEXO ME SHUME