
Një 47-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë greke, pasi akuzohet për konflikte të vazhdueshme me vajzën e tij të mitur si dhe për dhunë ndaj gruas. Ngjarja në fjalë është regjistruar në Volos.
47-vjeçari pas një debati me vajzën e tij e ka nxjerrë këtë të fundit jashtë banesës dhe nuk e ka lejuar të futet më. E gjendur përballë kësaj situate, ka ndërhyrë gruaja e tij, të cilën ai ka nisur ta dhunojë, duke e kapur dhe prej flokësh.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk dihet, është denoncuar dhe më pas arrestuar nga policia.
Nga hetimet rezulton se 47-vjeçari ka pasur probleme të shpeshta me alkoolin, ndërsa nuk është hera e parë që dhunon familjarët e tij. Ndaj tij rëndon akuza e dhunës në familje.