Lajme

Reshjet e shiut dhe dëborës, Peleshi: Nuk ka përmbytje, bashkitë më të rrezikuara janë nën monitorim

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se reshjet me intensitet të lartë të rëna gjatë natës, nuk kanë shkaktuar situata përmbytjesh falë edhe masave të marra në kohë.

Ministri Niko Peleshi bën me dije se disa nga bashkitë e rrezikuara janë nën monitorim pasi piku i prurjeve do të arrihet në datën 20.

“Reshjet me intensitet të lartë të rëna gjatë natës, fatmirësisht nuk kanë shkaktuar situata përmbytjesh në asnjë zonë të territorit të vendit, falë edhe masave të marra në kohë.

Megjithatë bashkitë Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Durrës e Elbasan do të jenë në monitorim të prurjeve të lumenjve në orët në vijim, pasi sipas parashikimeve piku i prurjeve do të arrihet në datën 20.

Nën monitorim është situata edhe në zonat malore, ku ka patur reshje bore. Po punohet në disa akse nga punonjësit e ARRSH për pastrimin e rrugëve nga inertet dhe nga forcat e OSHEE për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në disa njësi administrative.

Forcat e Armatosura kanë të angazhuara në nivel kombëtar 1200 forca dhe 450 mjete së bashku me shërbimin zjarrfikës, atë mjekësor, Policinë e Shtetit për të ndërhyrë në çdo rast nevoje. U bëjmë thirrje qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore për ndihmë.”, njofton Peleshi.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close