Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Çiflig, ku një automjet policie përplasi një këmbësor.
64 vjeçari Bajram Zyberi nga Korça ndërroi jetë menjëherë, ndërsa dje u tha se në momentin e ngjarjes ishte i pirë dhe se po lëvizte kur ora policore kishte rreth 40 minuta që kishte mbaruar. Inspektori V.XH, 41 vjeç i cili punon në Komisariatin e Pogradecit është vënë pas hekurave, ndërsa mësohet se ai ishte duke transportuar me makinë dy persona të arrestuar.
“Më datë 23.04.2021, ora 03:00, Drejtoria Rajonale e SHÇBA-së Elbasan-Korçë ka bërë arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë, Inspektor V. XH., 41 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Pogradec, pasi duke drejtuar mjetin e policisë tip Ford, ky shtetas ka aksidentuar në aksin rrugor Maliq-Korçë, në afërsi të fshatit Çiflik, shtetasin B. Z., 64 vjeç, i cili si pasojë e goditjeve të mara ka humbur jeten menjehere.
Ngjarja ka ndodhur ndërsa punonjësi i policisë, V. XH. po transportonte me mjetin e policisë dy shtetas të arrestuar, drejt dhomave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë. Specialistët e Drejtorisë Rajonale të SHÇBA-së Elbasan-Korçë kanë bërë të gjitha veprimet proçeduriale, ndërsa materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.