Në një komunikim të drejtpërdrejt në Klan News, sizmologu Rrapo Ormeni thotë nuk ka vend për panik, pas lëkundjeve të tërmetit me magnitudë 4.7 të shkallës Rihter që u ndjenë këtë të diel në vendin tonë.
“Nuk ka vend për panik sepse nuk ka ngjashmëri me tërmetin e ndodhur 3 vite më parë. Është një tërmet që futet tek tërmetet e vegjël me magnitudë 4.7 Rihter, ose 6 deri në 7 ballë. Janë tërmete karakteristike që bien në afërsi të Klosit. E gjithë kjo zonë, historikisht kanë rënë tërmete, deri tek magnitudë 5, 5.1 të shkallës Rihter. Pra ky është një tërmet që i përket kësaj zone, i cili ndihet i fuqishëm. Është ndjerë në zonën e Bulqizës, Klosit, Tiranë, Durrës, pothuajse në pjesën e Shqipërisë qendrore, por dhe më gjerë. Por është një tërmet me intensitet mbi 6 ballë që nuk shkakton dëme. Dëme të vogla mund të ketë vetëm afër epiqendrës”.
Sipas tij, gjithmonë pas një tërmeti me magnitudë të tillë, 4.7, ka pasgoditje. Sipas ekspertit ato janë normale dhe janë më të vogla në magnitudë.