Një situatë katastrofike është ajo që po ndodh në qytetin e Vlorës, ku si pasojë e djegies së plehrave në fushën e mbetjeve, i gjithë qyteti është nën pushtetin e tymit të zi, në një kohë që është i tejmbushur edhe me pushues.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara, orët e mbrëmjes kanë sjellë një përkeqësim të situatës me zjarrin, i cili tashmë duket të jetë jashtë kontrollit, dhe po përparon me ritme të shpejta.
Ajo që e bën dhe më alarmante situatën është fakti se mbetjet që digjen janë kryesisht plastikë, duke çliruar në ajër tym kancerogjen, dhe shumë të rrezikshëm për të gjithë banorët e Vlorës.
Retë e tymit të zi kanë pushtuar qytetin, ndërkohë që autoritetet duken të pafuqishëm për të ndërhyrë nëkëtë situatën, që nuk është e para në këtë fushë të depozitimit të mbetjeve. Por pavarësisht rrezikut që ajo paraqet, dhe precedentëvetë mëparshëm, autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë në parandalimin e zjarreve.
Madje gjatë ditës së sotme ka raportime se për orë të tëra nuk ka pasur asnjë punë për vënien nën kontroll të flakëve. Gjatë ditës së sotme, nga Fieri, ishte ministri i brendshëm Taulant Balla, ai që pranoi situatën e vështirë në Vlorë, por deri tani asnjë zgjidhje nuk është menduar për qytetarët, që përballen me ajrin e tejndotur.
Qytetarëtqë jetojnë në afërsi të fushës së mbetjeve shprehen se ndihen të rrezikuar, tashmë jo vetëm nga tymi i zi që ka mbuluar të gjithë zonën, por edhe nga fakti që flakët mund të përhapen me shpejtësi gjatë natës edhe në banesat e tyre.
