Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë hetimin e nisur ndaj Emiliano Shullazit për akuzën e “pastrimit të parave”. I dënuari me 14 vjet burg nga Krimet e Rënda si kreu i një grupi kriminal gjobëvënësish dyshohej se kishte konsumuar këtë vepër teksa u bë pronar i një pjese të ish-hotel Vollgës në Durrës.
Gjithashtu mësohet se hetimet janë pushuar edhe për biznesmenin e përfshirë në këtë çështje, shtetasin Ylvi Beqaj, por edhe për 3 gjyqtarët (Vladimir Skënderi, Dhurata Billo e Ndue Gjura), ish-kryesekretaren dhe ish-kancelaren e Gjykatës së Durrësit, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Shullazi dyshohej për pastrim parash kur mori në pronësi 20% të ish-hotel Vollgës nga biznesmeni Ylvi Beqaj. Sipas dyshimeve, ky i fundit i kishte premtuar Shullazit kalimin e pronësisë nëse e ndihmonte me regjistrimin e kësaj prone. Por pas veprimeve hetimore të kryera, Gjykata e Tiranës ka vendosur se në këtë çështje nuk ka elementë të veprës penale.