Hernán Ruilova Barzola, një sipërmarrës nga provinca e El Oro-s në Ekuador, dyshohet si drejtuesi i një rrjeti kriminal me lidhje me mafien shqiptare. Operacioni i gjerë policor, i cili zgjati mbi një vit e gjysmë, rezultoi me 16 të arrestuar në Ekuador dhe nëntë të tjerë në Evropë.
Sipas medias spanjolle, mes të prangosurve është edhe ish-deputeti Jorge Salomón Fadul Franco, i cili dyshohet se përdorte kompaninë e tij të eksportit të bananeve si mbulesë për trafikun ndërkombëtar të drogës. Si pjesë e operacionit u kryen 26 kontrolle në provinca të ndryshme të vendit, mes tyre Guayas (në kantonet Guayaquil dhe Milagro), El Oro (konkretisht në Machala) dhe Pichincha (në Quito).
Sipas ministrit të Brendshëm, bëhej fjalë për një grup shumë të organizuar, me strukturë hierarkike dhe role të qarta. Metoda kryesore e tyre ishte kontaminimi i ngarkesave të eksportit përmes porteve ekuadoriane me destinacion tregun evropian. Ministri shpjegoi se përmes një pune të përbashkët mes Policisë Kombëtare dhe Prokurorisë, u arrit të çmontohej kjo organizatë kriminale e lidhur me mafien shqiptare, e cila merrej me dërgimin e substancave të paligjshme drejt Evropës.
“Hetimi filloi pas operacionit Levisel, i kryer në provincën Loja, në sektorin Barbones, ku u sekuestrua gjysmë ton droge dhe u arrestuan tre shtetas ekuadorianë. Më pas u koordinua me njësitë antidrogë të Europol, Policinë e Antwerp-it, autoritetet e Holandës dhe DEA-n e Shteteve të Bashkuara, gjë që bëri të mundur zhvillimin e veprimeve operative edhe në territorin evropian”, sqaroi Reimberg.
Sekretari i shtetit detajoi se gjatë operacioneve u sekuestruan më shumë se 800.000 dollarë cash, bizhuteri ari dhe disa automjete me vlerë të lartë ekonomike. Gjithashtu, para arrestimeve të kryera në Ekuador, në Holandë u zhvilluan operacione që çuan në sekuestrimin e 7.6 tonëve drogë, duke goditur ekonominë kriminale me rreth 346 milionë dollarë.
